Në sfidën e mbrëmshme ndaj letonezëve të Daugavpils (e humbur në shifrat 0-1), tek Vllaznia është evidentuar një fakt që ndoshta ka vite që nuk haset. Në fushën e lojës kanë qenë plot 4 futbollistë që luajnë me këmbën e majtë!!!
Tre prej tyre e kanë nisur ndeshjen si titullar, pikërisht Melos Bajrami, Alexandros Kouro dhe Andrey Yago, ndërkohë që në pjesën e dytë u aktivizua edhe Esin Hakaj.
Mbase duhet të kthehemi shumë vite para në kohë për ta gjetur një rast tjetër të tillë te Vllaznia. Ndoshta edhe mund të mos ketë ndodhur. Deri në tre e kemi një rast, atë kur në fundin e viteve ’80 luanin Hysen Dedja, Isak Pashaj dhe atyre iu bashkua edhe Astrit Prençi.
Edhe në futbollin botëror sot rrallë e konstaton një gjë të tillë. Dhe ndoshta Vllaznia mund të jetë me fat që i ka këto lojtarë sepse me to, krahun e majtë duhet ta ketë “blind”. Në fakt në ndeshjen e djeshme në momente të caktuara ky krah deri diku funksionoi mirë me Kouron dhe Yagon, por në fakt më mirë funksionoi i djatht me Gurishtën e Krujën.
Mbase në ndeshjet e tjera duhet t’i jepet më shumë prioritet edhe krahut të majtë sepse nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet edhe aty, padyshim që do ia vështirësonte shumë punën kundërshtarit. “Sallaksat” sot janë gjithnjë e më të rrallë në futbollin botëror dhe Vllaznia sigurisht që duhet ta kthejë në një element pozitiv praninë e katër lojtarëve që luajnë me këmbën e majtë.(www.shkodrasport.com)