Pas përfundimit më sukses të edicionit të parë të kursit për licencën Drejtor Teknik Akademie, FSHF organizon edicionin e dytë të kursit, i cili nis më 2 qershor. Roli i drejtorit teknik të Akademisë është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës me grupmosha të ndryshme, duke ndihmuar në evidentimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e tyre drejt një karriere si profesionist.

Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, dha një prononcim për fshf.org rreth këtij kursi dhe zbuloi disa detaje nga programi dhe të ftuarit e këtij viti.

“Edhe këtë vit do të kemi një të ftuar për të hapur kursin, do kemi fatin të kemi Roberto Samaden, 30 vite tek Inter dhe tashmë prej dy vitesh është krye të Akademisë së Atalantës.

Roberto do të prezantojë strategji, filozofi dhe metodologji të përdorura nga klubet e mëdha dhe do të vërë në dispozicion të kursantëve tanë të gjithë eksperiencën e tij. Përtej kësaj, kursi ynë parashikon një vizitë në një klub italian në mes të tetorit dhe do të përmbyllet me një të ftuar tjetër shumë të rëndësishëm. Vitin e kaluar ishte Maurizio Viscidi, këtë vit e mbyllim kursin me një tjetër emër shumë të rëndësishëm, por emrin do ta zbulojmë gjatë rrugëtimit që do të zhvillojmë”, – u shpreh Pea.

Më tej ai u ndal te rëndësia e këtij roli për klubet dhe akademitë, duke shërbyer si urë lidhëse me federatën.

“Roli i Drejtorit Teknik është një rol shumë i rëndësishëm për ne, pasi është ura që lidh Federatën me akademitë dhe klubet, ndaj kemi menduar që gjatë sezonit 2026/27 figura e Drejtorit Teknik të bëhet e detyrueshme për të gjitha akademitë dhe klubet e vendin tonë. Kjo do të na japë mundësinë të takojmë çdo 45 ditë drejtorët teknikë për të ndarë të gjithë materialin didaktik që po përgatisim, gjë që do të ndihmojë në arritjen e një mesazhi të ri dhe të ndryshëm te trajnerët që punojnë me moshat më të vogla.

Përtej kësaj, metodologjitë dhe strategjitë e reja të përdorura në futbollin modern, sepse kemi mundësinë të përjetojmë një Kampionat Europian që do të krijojë të dhëna dhe material didaktik, të cilin drejtorët teknikë do të kenë mundësi të ndajnë këtë material dhe të thellojnë njohuritë e trajnerëve të tyre”, – u shpreh drejtori teknik i FSHF.

Për t’u regjistruar në kursin e Drejtorit Teknik të Akademisë, duhet të plotësoni këto kushte:

  1. Duhet të jenë nënshtetas shqiptarë
  2. Duhet të zotërojnë licencë UEFA A, B ose UEFA PRO
  3. Diplomë e shkollës së mesme (minimalisht)
  4. Kandidati duhet të jetë pajisur me certifikatë shëndetësore lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit)
  5. Një fotografi format pasaporte
  6. Fotokopje e ID ose e pasaportës
  7. CV

Kërkesa për regjistrim, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.edukimit@fshf.al, përmes postës së zakonshme në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 26.05.2025. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

Bëhet me dije për të gjithë personat që do të pranohen në këtë kurs se do të duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 500 eurosh. Pagesa kryhet pasi t’ju kemi dërguar faturën përkatëse.

Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: drejtoria.edukimit@fshf.al.