Egnatia i ka dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve që në turin e parë të turneut pas një ndeshje turpëruese me kuptimin e plotë të fjalës në Islandë përballë vendasve të Breidablik të cilët i kishte mundur dhe dominuar në sfidën e parë në shtëpi.
Kampionët e Shqipërisë dukej sikur kishin harruar brenda javës si luhej futbolli, me gafa të çuditshme, hapësira të jashtëzakonshme në prapavijë dhe vendosje që ua bënë shumë të thjeshtë kundërshtarëve të shënonin në seri gola përballë Dajsinanit duke mbyllur kualifikimin që në pjesën e parë të ndeshjes pasi kishin shënuar 4 herë.
As pjesa e dytë nuk ndryshoi shumë tablonë, përveç faktit që vendasit nuk sulmuan më me furi, gjë që solli vetëm një tjetër gol nga ana e tyre, pas dhuratës së radhës të ekipit rrogozhinas. Kështu, Egnatia kthehet në Shqipëri me një thes me gola të pësuar, plot 5 të tillë, duke kthyer atë që mund të ishte një natë kualifikimi historik, në një natë turpërimi historik.
BREIDABLIK-EGNATIA 5-0
Thorseinson 15′ , 27′ Einarson 23′, 38′ , Omarson 69′