Në Shkodër ndodhin çudira nga më të ndryshmet. E fundit ka ndodhur ditën e djeshme kur ekipe të ndryshme që marrin pjesë në kampionatet e Ligës Amatore kanë zhvilluar festime duke “u vetëshpallur” kampionë. Në fakt, FSHF dhe Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër si organizatorë të këtyre kampionateve, ua kanë bërë të ditur që në fillim se deri tek grupmosha U13 nuk ka fitues sepse prioritet është zhvillimi i futbollit të bazës.

Megjithatë Shoqata dhe Akademi të ndryshme nuk kanë vepruar kështu, por kanë “shpikur” festa e trofe të pamerituar, duke dorëzuar madje edhe medalje e kupa. Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër duke kuptuar se diçka po përgatitej në këtë drejtim, një ditë para ndeshjeve i ka njoftuar sërish se askush nuk ka tagrin dhe të drejtën përveç saj, të dorëzojë kupa e medalje.

Por gjërat kanë marrë rrugë tjetër dhe kjo ka bërë që SHRFSH të dalë sot me një deklaratë për shtyp për të sqaruar gjithçka ka ndodhur në këtë mes teksa në reagim e saj shkruan:

Deklaratë për shtyp

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër si institucion i vetëm fuqiplotë për të organizuar çdo event futbolli në Qarkun Shkoder si pjesë e Federatës Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqaroj opinion sportiv dhe publik për rregulloren e kategorisë së dytë Shkodër për moshën U-9 , U-11 , U-13 dhe U-15.

Këtë deklaratë e bëjmë për të sqaruar çdo shoqatë, trajner, lojtar, prind, dhe çdo palë të interesuar në lidhje me shpalljen e ekipeve kampion për sezonin 2024-2025 për kategorinë e dytë Shkodër.

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër organizon kampionatin e kategorisë së dytë Shkodër për moshat U-9, U-11, U-13 dhe U-15 , duke përfshirë 80 ekipe me rreth 1200 femijë.

Në kategorinë U-9 dhe U-11 nuk ka kampionatizëm dhe SHRFSH nuk shpall ekip kampion. Kategoria U-13 është e ndarë në 2 grupe me nga 10 ekipe, ku në përfundim të fazës së tretë, ekipet e rënditura në bazë të pikeve dhe rregullores në vend të parë dhe të dytë të çdo grupi luajnë ndeshje gjysëm-finale mes tyre dhe më pas ndeshje finale, ku ekipi i cili shpallet fitues i ndeshjes finale në kategorinë e dytë U-13 shpallet kampion i kategorisë së dytë U-13 Shkodër.

Kategoria e dytë U-15 Shkodër është me nje grup të vetëm me 12 ekipe, ku në përfundim të fazës së parë dhe të dytë, ekipi i rënditur në vendin e parë në bazë të pikëve dhe rregullores shpallet kampion i kategorisë së dytë U-15 Shkodër.

Rrjedhimisht këto ditë SHRFSH përgatitet për ceremoninë përmbyllëse për shpalljen kampion të ekipeve U-13 dhe U-15 pas përfundimit të ndeshjeve.

Në ditët e fundit disa nga ekipet që janë pjesëmarrës në këto kampionate janë vetëshpallur kampion duke marrë atribute si individ apo ekip duke i rënë ndesh rregullores organizative që është vendosur dhe shpallur bashkarisht në mënyre unanime nga të gjitha shoqatat pjesëmarrëse përpara fillimit të sezonit 2024-2025 në këtë kampionat.

Ne si Shoqatë Rajonale e Futbollit Shkodër nuk pajtohemi me veprimet e këtyre individ apo ekipe, por ne inkurajojme të gjitha shoqatat që aderojnë në SHRFSH të ndërmarrin veprime për të stimuluar dëshirën apo aftësitë e futbollistëve të tyre duke marrë pjesë në turne të ndryshëm kombëtar , ndërkombëtar apo aktivitete të ndryshme sportive bazuar në statutin dhe rregulloren e SHRFSH.

Asnjë individ apo ekip nuk mund të ndërmarrë iniciativa të tilla për të shpallur ekipet kampion. Ky veprim do të jetë subjekt i Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gjejmë rastin të falenderojmë paraprakisht të gjitha shoqatat pjesëmarrese, ekipet, lojtarët, prindërit, arbitrat, mjeket, delegatët , gazetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në aktivitetet e organizuara nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër për sezonin 2024-2025!