Një situatë e pazakontë ka ndodhur gjatë ditës së sotme, me klubin e Laçit që ka reaguar publikisht ndaj publikimit të një ndeshje miqësore mes klubit nga Maqedonia e Veriut, Makedonija GP dhe skuadrës kurbinase.

Në rrjetet sociale të skuadrës maqedonase ishte publikuar lista e ndeshjeve përgatitore të sezonit dhe ditën e sotme, ishte caktuar një përballje me Laçin. Problemi ishte se kurbinasit nuk kishin asnjë informacion rreth saj dhe kanë reaguar me një postim në rrjetet sociale, teksa panë se si ndeshja në fjalë ishte publikuar edhe në faqe të njohura.

“KF Laçi kërkon të sqarojë dhe përgënjeshtrojë miqësoren e “rreme” që FK Makedonija G.P pretendon se luan me ekipin bardhezi ditën e sotme prej orës 17:30. Përveç njoftimit nga vetë faqja zyrtare e ekipit maqedonas në rrjetet sociale, axhenda e kësaj miqësoreje është bërë publike edhe në Flashscore.

Theksojmë se ekipi po vijon përgatitjet për miqësoren e nesërme përballë Korabit që do të luhet në Peshkopi duke filluar nga ora 17:00 dhe nuk ka asnjë ndeshje në program për ditën e sotme”, shkruhej në këtë komunikatë.

Misteri është zgjidhur pasdite, kur në fushën stërvitore të Ohrit për ndeshjen miqësore, që u transmetua drejtpërdrejt në YouTube, u shfaq skuadra kosovare e Llapit, duke lënë të kuptohet se kishte qenë një gabim në ngatërrimin e merave të ekipeve.