Nga Marinela MATIJA
Largimi i tij nga Vllaznia ka ardhur i papritur jo vetëm opinionin sportive Shkodran, por edhe për vetë protagonistin e këtij shkrimi. Aurel Locaj nuk do të jetë më përgatitës atletik i skuadrës kuqeblu dhe një gjë të tillë ai e ka lajmëruar vetë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Po çfarë ka ndodhur realisht? Për të mësuar diçka më shumë në lidhje me largimin e tij, gazeta “Shkodra Sport” e ka kontaktuar atë për t’i marrë një intervistë të shkurtër ku dhe ka shpjeguar arsyet e “divorvit” me Vllazninë.
–Aurel, pas dy vitesh si pjesë e Vllaznisë, ju i ndatë rrugët me të. Ishte një marrëveshje dypalëshe apo pati një “krisje” mes teje dhe drejtuesve të klubit?
Nuk është asnjëra nga këto. Kjo ka qenë një zgjedhje e trajnerit të ri, Edi Martini dhe një gjë të tillë ma komunikoi përmes telefonit presidenti Xhaferi. Dhe unë sigurisht që e respektoj këtë gjë.
–Si kanë qenë për ju këto vite te Vllaznia?
Dy vite që po t’i marrësh vetëm konkluzionin, kanë qenë deri diku të suksesshme. Kam pas dy fillim sezonesh pak të vështira për shkak se në të dy vitet në fillim ishin trajnerë që kishin dëshirë të punonin vetëm sipas mënyrës së tyre por me kalimin e kohës vitin e parë u përmirësua situata me ardhjen e trajnerit Qatip Osmani dhe drejtorit Tefik Osmani që më lanë të bëja punën time. Ndërsa në vitin e dytë pas disa kohësh trajneri Brdariç fitoi besimin dhe më la të punoja. Më vjen shumë keq që nuk arritëm të dalim kampion.
–Cilat janë planet e Locajt për të ardhmen?
Për momentin nuk kam plane sepse i kisha thurrur të gjitha planet e mia rreth Vllaznisë pasi realisht nuk e prisja këtë largim. Por ky është futbolli dhe ne jemi gjithmonë me çantën gati. Të shijoj familjen time sepse kam dy vite që nuk jam shumë afër tyre dhe kjo është gjeja më e rëndësishme në jetë.
–Së fundi, ju ka mbetur ndonjë peng nga kjo periudhë te Vllaznia apo vetëm kujtime të bukura?
Di të them se çdo ditë që kam kaluar tek Vllaznia është një kujtim i bukur. Por kuptohet që kujtimet më të bukura i kam nga grumbullimi me çunat. Unë dua të falenderoj me shpirt gjithë familjen e madhe VLLAZNIA dhe i uroj shumë suksese. Krenar që isha pjesë e juaja për dy vite.(www.shkodrasport.com)