Nga Maringlen ZHIVANI
Arsid Kruja ndodhet në dilemë për të ardhmen e karrierës, pasi kontrata e tij me klubin durrsak ka përfunduar zyrtarisht. Ai, ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovim, duke e lënë të hapur të ardhmen e tij, qoftë për një qëndrim të mundshëm apo edhe për një aventurë të re jashtë Durrësit.
Burime të “Shkodra Sport” pranë klubit dhe futbollistit shkodran bëjnë me dije se palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje konkrete për vazhdimin e bashkëpunimit. Ndërkohë, mesfushori shkodran po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme për sezonin e ardhshëm dhe ndoshta në fundjavë mund të ketë një takim me presidencën e Teutës.
Tashmë, duke qenë se kontrata e tij me Teutën ka përfunduar, për 31-vjeçarin ka patur interesime edhe nga klube të tjera, teksa një nga ato është edhe ekipi i Dinamos. Skuadra kryeqytetase synon të përforcojë krahun e djathtë të mesfushës dhe mbrojtjes, teksa mesa duket Kruja plotëson kërkesat e drejtuesve.
Këto të fundit kanë patur bisedime me lojtarin shkodran, por futbollisti ende nuk u ka kthyer një përgjigje përfundimtare, teksa ai pritet të vendosë gjithçka në ditët në vijim.
Në sezonin që lamë pas, Arsid Kruja ka qenë një nga pikat konstante të formacionit të Teutës, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, me merkaton verore që po afron.(www.shkodrasport.com)