Nga Maringlen ZHIVANI

Flamurtari ka nisur punën për sezonin e ri në Superiore dhe mesa duket, ekipi vlonjat do të jetë tërësisht ndryshe në përbërje nga edicioni i fundit në Kategorinë e Parë. Për pjesën më të madhe të futbollistëve, kontratat kanë përfunduar dhe nga sot, ata janë të lirë në treg.

Një nga futbollistët, të cilit i ka përfunduar kontrata tashmë me klubin është kapiteni Denis Pjeshka. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, mbrojtësit shkodran i ka përfunduar kontrata e tij dhe mesa duket, drejtuesit e kanë në plan që ta rinovojnë kontratën me të.

Pjeshka është një nga futbollistët e preferuar të drejtuesve dhe patjetër duan që të vijojnë bashkëpunimin me të edhe në Superiore. Kjo për të vlerësuar edhe qëndrimin e mbajtur nga shkodrani, i cili i ka qenë pranë skuadrës së Flamurtarit edhe në momente të vështira, siç ishte rënia deri në Kategorinë e Dytë.

Tashmë, në vazhdim mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, por gjasat janë që kapiteni shkodran i Flamurtarit, Denis Pjeshka, të luajë edhe sezonin e ardhshëm në Vlorë.(www.shkodrasport.com)