Transferimi i Kevin Dodajt në Bullgari erdhi disi i papritur sepse oferta më e mirë për 19 vjeçarin e Vllaznisë deri në ato momente ka qenë ajo e hungarezëve të Gyor që kishin ofruar vetëm 200 mijë euro. Por drejtuesit kuqeblu nuk u ngutën dhe pritën sërish.

Pikërisht në këto momente në skenë ka dalë menaxheri i njohur, Erkan Sulejmani. Ish- futbollisti i Vllaznisë së disa viteve më parë i ka ruajtur ende lidhjet me Shkodrën dhe Shqipërinë dhe si rrjedhojë nuk ka mundur ta humbasë rastin për t’i gjetur një ekip më të mirë Dodajt, por edhe një ofertë më të mirë Vllaznisë.

Në fakt, ai që i ka lidhur palët për të mundësuar këtë transferim ka qenë menaxheri shkodran Ervis Domnori i cili bashkëpunon prej vitesh me Sulejmanin dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kanë punuar fort për të gjetur një opsion të mirë për të realizuar këtë kalim të futbollistit të Vllaznisë në një prej klubeve europiane.

Si rrjedhojë, gazeta “Shkodra Sport” mëson se kanë qenë pikërisht Sulejmani dhe Domnori që ia kanë propozuar sulmuesin e kombëtares U21 të Shqipërisë bullgarëve dhe ata e ndoqën në ndeshjen e parë ndaj Daugavpils në Elbasan. Dhe ndonëse shumë prej tifozëve apo dhe të tjerë e kritikuan Dodajn për humbjen e 2-3 rasteve të pastra, kaq u ka mjaftuar skautëve të klubit bullgar për t’u bindur për aftësitë e tij dhe si rrjedhojë menjëherë kanë nisur ofertën në zyrat e klubit Vllaznia.

400 mijë euro në arkën e klubit dhe 10 % të kartonit të tij. Shkodranët u menduan, ndërkohë që CSKA e ndoqi edhe në ndeshjen e kthimit në Letoni ku Dodaj shënoi një gol dhe dha asistin e golit të kualifikimit. Dhe menjëherë ata kanë dërguar në zyrat e klubit kuqeblu ofertën përfundimtare: 450 mijë euro transferimi bashkë me të drejtën e formimit dhe bonuse të tjera, si dhe 10 % të kartonit.

Dhe këtu u mbyll gjithçka teksa palët ranë dakord, ndërkohë që tashmë Kevin Dodaj ka firmosur për tre vjet me ekipin bullgar. Një transfertë e realizuar me sukses dhe Vllaznia, por edhe futbollisti vetë duhet t’i jenë mirënjohës menaxherëve Erkan Sulejmani dhe Ervis Domnori që u gjendën në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të mbyllur këtë transferim.(www.shkodrasport.com)