Nga Maringlen ZHIVANI

Tek Vllaznia po vijojnë punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Dyshja Martini-Sinani janë në lëvizje çdo ditë për të gjetur futbollistët e duhur. Ata i kanë të qarta idetë se ku ka nevojë për përforcime skuadra dhe tashmë po tentojnë përforcimet e mundshme. Pikërisht për këtë arsye, trajneri Edi Martini mësohet se i ka hedhur sytë edhe nga Kosova.

“Shkodra Sport” ka mësuar se trajneri Martini ka udhëtuar drejt Prishtinës për të ndjekur ndeshjen e barazhit në mes skuadrës së Vushtrisë dhe asaj të Llapit, që u fitua nga këta të fundit me penallti, me rezultatin 1-4.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë trajnerit kuqeblu, ai është i interesuar për shërbimet e portierit të Llapit, Marijan Çoriç, pasi mesa duket ka mbetur i bindur nga aftësitë e tij. Muajt e fundit, trajneri Edi Martini ka punuar në Kosovë dhe ka patur mundësi të ndjekë kampionatin atje dhe të identifikojë edhe futbollistët që mund t’i bëjnë punë tek Vllaznia.

Gjithsesi, në ditët në vijim do të mësohet më shumë për këtë vizitë për herë të dytë të Edi Martinit në Prishtinë dhe nëse do të ketë ndonjë rezultat prej saj. Ditët e fundit qarkulloi lajmi se shkodranët ishin në bisedime me portierin maqedonas Igor Aleksovski por duket se bisedimet me të nuk janë konkretizuar dhe prandaj tashmë kanë hedhur sytë nga kroati Çoriç.(www.shkodrasport.com)