Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia duket se po vijon punën për përforcimin e ekipit me elementë cilësorë. Një nga emrat e futbollistëve që mund të afrohet në Shkodër është mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi.

Ky i fundit është një dëshirë e trajnerit Edi Martini për Vllazninë. Trajneri i kuqebluve i njeh mjaft mirë aftësitë e qendërmbrojtësit, që do të shtonte forcat në repartin ku për momentin Vllaznia ka më tepër nevojë të përforcohet.

23-vjeçari ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij te Teuta, ndërsa tashmë mund të firmosë me Vllazninë. Negociatat duken në rrugë të mbarë dhe pavarësisht kontratës së Jazxhit në Durrës, të dy presidentët duket se do të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë që qendërmbrojtësi të firmosë në Shkodër.

Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që Teuta të mbajë një përqindje kartoni të Jazxhit në rast shitjeje të tij në të ardhmen. Jazxhi ka plot 134-ndeshje me ekipin e Teutës, teksa gjatë kësaj kohe ka shënuar tetë gola dhe ka assistuar tre të tjerë.(www.shkodrasport.com)