Nga Maringlen ZHIVANI

Klubi i Burrelit ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato, duke rikthyer në skuadër një nga emrat më të njohur të viteve të fundit. Pikërisht, ish-kapiteni Donald Mëllugja ka vendosur të rikthehet tek skuadra matjane e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj.

Mesfushori ka ndëprerë aventurën e tij me Besën e Kavajës dhe nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, ka zgjedhur të kthehet tek ekipi i vendlindjes. Futbollisti me përvojë rikthehet në “shtëpi” pas një aventure të suksesshme në nivele të tjera të futbollit shqiptar, duke sjellë eksperiencën e tij në ambientin matjan.

Mëllugja ishte një futbollist shumë i kërkuar në treg, si një lojtar me eksperiencë në Kategorinë e Parë, por mesfushori ka refuzuar të gjitha interesimet, duke preferuar të ndihmojë skuadrën matjane.

Ky është një përforcim me shumë peshë për Burrelin, që synon të jetë përsëri protagonist në sezonin e ri të Kategorisë së Parë. Rikthimi i Mëllugjës shihet edhe si një mesazh i fortë për rivalët, pasi pritet që ai të jetë lideri i repartit të mesfushës dhe një shtyllë e rëndësishme në projektin e trajnerit Nikaj për synimet e ekipit drejt objektivave ambicioze.(www.shkodrasport.com)