Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia siguroi biletën për në turin e dytë të Conference League, duke fituar në Letoni përballë Daugavpils. Saimir Patushi, ish-futbollist i kuqebluve, komentoi paraqitjen e nënkampionëve të Shqipërisë.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai tha se te Vllaznia tashmë është një frymë e re, ndërsa shtoi se një futbollist sulmues siç është Kristal Abazaj, do i bënte shumë punë trajnerit Martini. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Patushi, si e shihni aktualisht skuadrën e Vllaznisë?

Unë shikoj një frymë të re, me futbollistë të rinj dhe kryesorja, më vjen mirë që shikoj që trajneri Martini ka afruar lojtarë si Kubazi dhe Tafili.

-Çfarë mendoni se shkoi siç duhet në fitoren me Daugavpils?

Asgjë më shumë sesa logjika e ndeshjes që duhej fituar medoemos. Për mua, sidomos klasi i Dodajt dhe guximi i Martinit e fituan ndeshjen. Mbase edhe mund ta humbiste, por në futboll sot duhet të guxosh.

-Cili mendoni se ishte futbollisti kyç i skuadrës në fitoren me Daugavpils?

Padyshim që Dodaj. Ai mbase është më i vogli në moshë, por me një klas për t’u admiruar dhe i uroj shumë fat atje ku ka shkuar.

-Si e shihni punën e trajnerit Martini në rikthimin e tij në krye të skuadrës?

Unë mendoj se Martini është djali i shtëpisë dhe e di shumë mirë se çfarë do ai klub. Duhet të rregullojë sa më shpejt prapavijën. Martini po bën punë të mirë, por ka ende shumë për të bërë për çfarë ka në kokë ai.

-Çfarë duhet të ndryshojë Vllaznia për të qenë më e fortë në dy ndeshjet me Vikingur?

Vllaznisë i mungon një winger si Kristal Abazaj që do i bënte shumë punë për filozofinë që ka Martini në kokë. Në ndeshjen me Vikingur nuk duhet aventurë, por duhet ta studiojnë mirë dhe t’i balancojnë forcat.

-Keni një mesazh për tifozët shkodranë për të qenë sa më të shumtë në stadium ditën e enjte ndaj Vikingur?

Tifozët duhet sa më shumë të mbështesin skuadrën, sepse vetëm mirë i bëjnë ekipit, por edhe ekipi duhet t’i përgjigjet më së miri.