Nga Maringlen ZHIVANI

Futbolli nuk është i befasishëm vetëm brenda fushës, por edhe në merkaton dhe atë ç’ka ndodh në zyrat e klubeve gjatë periudhës së verës. “Shkodra Sport” ka mësuar se ka ndodhur një kthesë në lidhje me të ardhmen e Alfred Mensah.

Ganezit në këtë verë i skadon kontrata me Vllazninë dhe ai mund të firmosë me secilin klub të dëshirojë. Gjithsesi, duket se ka pasur ndryshime pozitive dhe klubi ka vendosur t’i ofrojë një tjetër kontratë, por kësaj herë kontratë rinovimi.

Gjatë ditëve të fundit, Vllaznia ka pasur kontakte të vazhdueshme me palën e futbollistit në lidhje me një rinovim të mundshëm dhe duket se ka marrë njëfarë miratimi nga ana e menaxherit dhe vetë Mensah.

Në fakt, burime për “Shkodra Sport” bëjnë me dije se palët kanë arritur një akord në parim për firmën edhe të paktën për një sezon. Gjithsesi, deri më tani asgjë nuk është hedhur në letër dhe kjo lë gjithçka të hapur.

Aktualisht, Mensah ndodhet me të afërmit dhe familjen, ku po kalon pak kohë me ta. Sipas burimeve pranë klubit, ai pritet të kthehet në Shkodër në ditët në vijim, kur edhe do të diskutojë detajet finale të rinovimit.

Padyshim, rinovimi i Mensah përben një lajm shumë të mirë për Vllazninë, sidomos pas nevojave të shumta që kuqeblutë kanë pasur në këtë repart në çdo merkato vere apo dimri.