Nga Gjergj KOLA
Ndodh edhe kështu. Një sezon i shkëlqyer i futbollistit Shkodran Sabah Kerjota me San Benedettese duke u shpallur kampion i Seria D i ka dhënë atij mundësinë dhe të drejtën për të luajtur si profesionist në sezonin e ri, por jo vetëm kaq. Një ofertë nga Skocia i ka ndryshuar të gjitha planet 23 vjeçarit.
Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se klubi i Premiership në Skoci- Hearts FC ka shprehur interes për të dhe duket se mes palëve është arritur dhe akordi dhe gjatë kësaj jave pritet firma në kontratë.
Kerjota është nën kontratë me San Benedettese deri në vitin 2008, por Hearts ka rënë dakord me klubin Italian për ta marrë lojtarin kundërdrejt pagesës së një shumë prej 100 mijë eurosh. Në këtë mënyrë, ish- futbollisti i Vllaznisë me shumë mundësi tashmë do të ketë shansin e artë të karrierës së tij për të treguar se çfarë di të bëjë duke luajtur kundër ekipeve të tilla si Celtic, Rangers, Aberdin etj.
Sabah Kerjota e ka filluar futbollin në moshë të vogël tek FC Berdica me trajner Fatmir Dinin, për të kaluar më pas tek Akademia Vllaznia me të cilën ka luajtur deri në moshën 16 vjeç kur është transferuar në Itali. Megjithatë në vendin fqinj jo të gjitha gjërat i kanë shkuar mirë sepse mungesa e dokumentacionit e ka penalizuar shumë për vite me rradhë.
Në vitin 2020 ka qenë shumë pranë kalimit tek Parma por situate me pandeminë që u krijua në atë moment prishi çdo gjë dhe si rrjedhojë futbollisti Shkodran u detyrua të endet në Ligat e ulëta, për të luajtur më pas në Seria D ku në sezonin e fundit ka shkëlqyer me San Benedettesen me të cilën u shpall edhe kampion duke luajtur në 34 ndeshje, ku shënoi 10 gola dhe dha 11 asiste.
Pikërisht kjo ecuri, por edhe negociatat e menaxherit të tij Silvio Pagliari (i njëjti që ka edhe lojtarin e kombëtares shqiptare Mario Mitaj), kanë bërë që Hearts ta vëzhgojë me kujdes dhe të bindet në aftësitë e shqiptarit prandaj dhe tashmë ka mbetur vetëm hedhja e firmës në kontratë, gjë që pritet të bëhet në ditët në vijim.(www.shkodrasport.com)