Nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj i ka dhënë lamtumirën më të bukur të mundshme Vllaznisë, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një assist në fitoren 4-2 ndaj Daugavpils, që i dha kuqebluve kualifikimin për në turin e dytë të Conference League. Tashmë, talenti pukjan do të vijojë karrierën te skuadra e CSKA së Sofies në elitën e futbollit bullgar.
Në fakt, prej kohësh për Dodajn është diskutuar për një transferim jashtë vendit, por duket se tashmë gjërat janë bërë realitet dhe sulmuesi pukjan është shitur përfundimisht nga ana e Vllaznisë. Realisht, ofertat dhe interesimi nuk ka munguar në adresë të 19-vjeçarit gjatë kësaj periudhe, por së fundmi ekipi i CSKA së Sofies ka siguruar shërbimet e sulmuesit. Drejtuesit dhe menaxherët e skuadrës së njohur kanë pasur kontakte të vazhdueshme me presidentin Alban Xhaferi në ditët e fundit.
Në fakt, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, për Dodajn, klubi bullgar ka dhënë një shifër prej 400-mijë eurosh për të blerë kartonin nga Vllaznia, teksa bashkë edhe me tarifën e formimit dhe detyrimet e tjera, shuma shkon në 450-mijë euro. Poashtu, një pjesë e kartonit të 19-vjeçarit është mbajtur edhe nga kuqeblutë, pikërisht 15%, të cilët do të marrin përfitime të tjera financiare edhe në të ardhmen. Një ofertë e tillë është pranuar menjëherë nga klubi kuqeblu, pasi duket se drejtuesit kanë qenë të bindur nga oferta e ardhur. Tashmë, në ditët e ardhshme pritet edhe zyrtarizimi i Kevin Dodajt tek klubi i CSKA Sofia.
Te skuadra bullgare janë pjesë edhe dy futbollistët kosovarë, Dellova dhe Bytyqi. Ndërkohë, nga ana tjetër, për Kevin Dodajn, i cili ishte një nga zbulimet e sezonit në Superiore, kjo do të jetë një lëvizje e rëndësishme në karrierë. Sulmuesi pukjan luajti sezonin e tij të parë si profesionist në edicionin që lamë pas, ku me Vllazninë zbriti 37-herë në fushë në kampionat, duke shënuar edhe gjashtë gola. Tashmë, deri ditën e hënë pritet edhe zyrtarizimi i bullgarëve për afrimin e sulmuesit 19-vjeçar, i cili është një futbollist me potencial për të ardhmen.