Nga Endri ÇINARI
Lëvizjet e para kanë filluar tek Vllaznia dhe në një moment ku pritej zyrtarizimi i largimit të disa prej titullarëve të sezonit që u mbyll, një surprizë ka ndodhur ditën e sotme. Nga sa mëson “Shkodra Sport” futbollisti i parë që ka dalë i lirë nga skuadra shkodrane për sezonin e ri është Ersi Zaganjori.

Burime pranë futbollistit bëjnë të ditur se mesfushori dhe klubi e kanë zgjidhur me mirëkuptim marrëveshjen. Duke vendosur që 20 vjeçari të jetë një lojtar i lirë dhe të kërkojë një klub tjetër ku të vijojë karrierën e tij. Një lëvizje disi e papritur kjo sepse Zaganjori cilësohet si një nga elementët më cilësor të prodhuar nga akademia Vllaznia në sezonet e fundit.

Madje klubi shkodran e huazoi fantazistin në janar në Kosovë. Për tu aktivizuar me ekipin e Ferronikelit dhe të merrte minutat e duhura për të qenë nën shërbimin e Vllaznisë për sezonet e ardhshme. Por mesa duket të dy palët e kanë parë të udhës që mos e vijojnë këtë bashkëpunim. Me Zaganjorin që tashmë si një futbollist i lirë mund të shohë për opsione të tjera në karrierën e tij.

Admiruesit duket se nuk mungojnë për shkodranin, ku ekipe të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri kanë shfaqur interesim për shërbimet e tij. Megjithëse ende pa një pistë konkrete, me të ardhmen e mesfushorit që pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme.