Nga Maringlen ZHIVANI

Te Vllaznia nuk po mendohet vetëm për largimet apo rinovimet, por edhe për afrimet e reja. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, një emër i përfolur tashmë për mbrojtjen është Artan Jazxhi. Mbrojtësi durrsak që aktivizohet te skuadra e Teutës është një opsion për prapavijën kuqeblu.

Tek ekipi durrsak, 23-vjeçari ka qenë një titullar fiks dhe ai është një futbollist që pëlqehet shumë nga Edi Martini. Kjo, pasi trajneri shkodran bazohet tek eksperienca pozitive që ka pasur me shtatlartin në kohën kur të dy ishin së bashku te Teuta.

Mbrojtësi durrsak është pjesë e Teutës prej katër sezonesh, por për momentin, për ardhjen e tij te Vllaznia pengesë është kontrata që e lidh me klubin durrsak. Drejtuesit e Teutës e shohin Jazxhin si një futbollist me vlera dhe të paktën për momentin, klubi nuk ka dëshirë që ta largojë ose të humbasë shërbimet e tij pa përfituar diçka, duke qenë se kontrata e tij është deri në janar.

Në fakt, për momentin, ardhja e tij tek Vllaznia duket mjaft e vështirë për shkak të kontratës që ka me Teutën, paçka se trajneri Martini ka insistuar ta ketë te Vllaznia. Jazxhi është një futbollist që luan në rolin e qendërmbrojtësit. Ai është një lojtar që është rritur tek Teuta, teksa poashtu ka qenë pjesë e Akademive të tjera në Durrës.

Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për merkaton e Vllaznisë. Kuqeblutë duket se e kanë seriozisht në merkaton e kësaj vere, teksa shkodranët duan të ndërtojnë një ekip të fortë për edicionin e ardhshëm, për të konkurruar me emra si Egnatia dhe Dinamo që po shpenzojnë shifra të konsiderueshme për të afruar futbollistë cilësorë.