Elbasani ka dalë me pretendime të forta pas ndeshjes së kampionatit ndaj Egnatias në Rrogozhinë, duke e konsideruar një episod të minutave të fundit si vendimtar për rezultatin përfundimtar. Sipas klubit elbasanas, vendimi nuk ishte në përputhje me rregulloren e lojës dhe i privoi ata nga mundësia për të marrë tre pikë në transfertë. Episodi ka ndodhur në momentet vendimtare të takimit. Loukili ekzekutoi penalltinë, portieri e ndali goditjen, por topi u rikthye në lojë dhe Lajthia e dërgoi në rrjetë.
Arbitri fillimisht e akordoi gol, por pas ndërhyrjes së sistemit VAR e anuloi golin, duke argumentuar se një futbollist i Elbasanit kishte hyrë brenda zonës së 11-metërshit përpara goditjes. Megjithatë, pamjet kanë treguar se edhe një lojtar i Egnatias ishte futur në zonë në të njëjtën kohë. Rregullorja e FIFA-s është e qartë në raste të tilla: penalltia duhet të përsëritet. Vendimi për t’i dhënë topin skuadrës vendase u konsiderua një interpretim i gabuar i rregullave, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin final.
ELBASANI SHKRESË FSHF – Klubi elbasanas ka reaguar pas ndeshjes, duke i dërguar një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë një sqarim mbi situatën. Burime të sigurta për “Panorama Sport” konfirmojnë ekskluzivisht se kërkesa thekson se vendimi i marrë ka qenë vendimtar dhe në kundërshtim me rregulloren. Për këtë arsye, duke i bërë të ditur edhe rregulloren që njohin, i kanë nisur kërkesën institucionit më të lartë të futbollit në vend, për ta sqaruar këtë situatë.
Ndërkohë që rezultati i sfidës në Rrogozhinë nuk mund të ndryshohet, Elbasani ka kërkuar që episodi të marrë vëmendjen e duhur nga organet drejtuese të futbollit shqiptar. Klubi kërkon transparencë dhe qartësi në interpretimin e rregullave, në mënyrë që të mos krijohen precedentë që cënojnë garën. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e verdhebluve shpresojnë që ky rast të shërbejë si shembull për përmirësimin e arbitrimit në ndeshjet e ardhshme.
PRESIONI MBI ARBITRIMIN – Ky rast ka hapur një tjetër debat mbi cilësinë e arbitrimit në kampionatin shqiptar, një temë që vazhdon të mbetet e ndjeshme prej vitesh. Vendime të tilla, veçanërisht në ndeshje me peshë në renditje, ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë sportive të skuadrave dhe vënë në pikëpyetje barazinë e garës. Edhe në të kaluarën, gjykimi ka qenë shpesh problem për futbollin shqiptar, me klube që kanë ngritur akuza të forta për favorizime apo dëmtime në disfavor të tyre.
Episodet e diskutueshme janë përsëritur sezon pas sezoni, duke ushqyer dyshimet e publikut mbi paanësinë e arbitrave. Në këtë rast, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se episodi u rishikua në VAR dhe sërish u mor një vendim i gabuar. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjes së teknologjisë, arbitrat vendosën ta anulonin golin dhe t’i jepnin topin skuadrës vendase, duke shkaktuar reagime të forta nga Elbasani. Ky fakt ka ngritur pikëpyetje jo vetëm mbi nivelin e arbitrave në terren, por edhe mbi mënyrën si përdoret sistemi VAR në Shqipëri. Teknologjia është menduar për të shmangur gabime të tilla, por në këtë rast, interpretimi i rregullores rezultoi i gabuar edhe pas konsultimit. Rasti i Rrogozhinës shihet tashmë si shembull i qartë i nevojës për më shumë përgatitje dhe profesionalizëm, në mënyrë që teknologjia të mos shndërrohet në burim tjetër polemikash, por të garantojë drejtësi dhe transparencë në garë.