Ishte një nga futbollistët shqiptarë që këtë merkato verore qëndori në vëmendjen e shumë ekipeve në Europë dhe jo vetëm. Ku ofertat nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Emiratet e Bashkuara Arabe apo edhe Algjeria nuk munguan aspak për të. Fjala është për Erald Çinarin, i cili tashmë duket se ka vendosur përfundimisht se ku do e vijojë karrierën e tij dhe sezonin 2025-26.
Nga ajo çfarë mësohet nëpërmjet burimeve të afërta pranë lojtarit, mëngjërashi është shndërruar në një “sheik”. Kjo pasi 28-vjeçari në orët e fundit ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me skuadrën e Al Jabalain që militon në ligën e dytë të Arabisë Saudite. Në këtë mënyrë ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Partizanit në vendin tonë do vijojë karrierën e tij në Lindjen e Mesme, ku e pret një kontratë me një vlerë thuajse që kap 800 mijë dollarë në dy vite sipas asaj çfarë mësohet nga burimet.
Në këtë mënyrë Çinari largohet nga Europa për herë të parë gjatë karrierës së tij, për t’u transferuar në Azi. Ku kanë qenë vetë drejtuesit e Al Jabalain dhe trajneri i kësaj skuadre që ka këmbëngulur për të marrë shërbimet e sulmuesit. Me negociatat që kanë qenë shumë të avancuar në ditët e fundit dhe u finalizuan me sukses para pak orësh.
Tashmë Al Jabalain do jetë skuadra e 6-të në karrierën e shkodranit, ku më parë në vendin tonë është aktivizuar me Vllazninë dhe Partizanin. Në Turqi me Samsunspor, në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën e Tetovës dhe së fundmi në Armeni tek Noah. Ku pikërisht me këta të fundit përjetoi edhe ediconin më të mirë në karrierë gjatë 2024-25, duke shënuar 17 gola dhe dhuruar 12 asiste në të gjitha kompeticionet ku u aktivizua me armenët.(www.shkodrasport.com)