Erald Çinari përjetoi një sezon të jash tëzakonshëm në radhët e skuadrës së Noahs në Armeni. Shkodrani u shpall kampion dhe fitues i Kupës me ekipin armen, duke qenë protagonist, ku gjatë këtij edicioni 2024-25 shënoi 16 herë dhe dhuroi 11 asiste. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 28- vjeçari flet për këtë eksperiencë, ku ndalet jo vetëm te performanca individuale, por edhe ajo ekipore. Ndër të tjera, sulmuesi ka edhe një dëshirë e po ashtu analizon edhe zhvillimet në Superiore.
Çinari, një sezon i shkëlqyer në Armeni apo jo?
Ishte me të vërtetë një sezon më shumë se i shkëlqyer. Jo vetëm nga ana individuale, ku ishte më i miri i karrierës sime, por edhe ajo ekipore. Pasi me ekipin e Noah-s fituam kampionatin dhe Kupën, diçka që kjo skuadër se kishte realizuar ndonjëherë. Po ashtu pjesëmarrja në fazën e grupeve të Conference League, duke u përballur me skuadra si Chelse apo Rapid i Vjenës ishin eksperienca të jashtëzakonshme, që patjetër të rrisin edhe si futbollist.
E prisje një sukses të tillë në fillim? Deri diku e prisja, pasi verën e shkuar kur mu propozua kjo ofertë, mu treguan edhe objektivat që kishte skuadra. Që realisht ishin të mëdha dhe shumë ambiciozë. Është një skuadër e re që po bën emër në Armeni dhe jo vetëm. Por patjetër që pritshmëritë e të gjithëve në klub janë tejkaluar, prandaj edhe sezonin që vjen, Noah besoj se do të synojë sërish gjëra të mëdha.
Noah, një ekip me projektet ambicioze, do të jetë e ardhmja jote aty? Kontrata ime mbyllet në fundin e muajit qershor dhe duhet diskutuar për të ardhmen time në klub. Pavarësisht se nga drejtuesit më është ofruar rinovimi i marrëveshjes ende nuk ka diçka konkrete. Por bisedimet janë të hapura me meje dhe klubi, duke mos përjashtuar as skuadra të tjera që kanë interes në drejtimin tim. Për momentin, dua të relaksohem pak dhe të shijoj disa ditë pushime.
Ka pasur oferta të tjera në drejtimin tënd?
Po, realisht ka pasur oferta dhe kanë qenë interesante. Madje që në janar ka pasur interesim dhe oferta konkrete në drejtimin tim, por preferova ta mbyll sezonin në Armeni. Por, tani do të shohim se çfarë mund të na sjellë merkato e verës ku edhe koha për të menduar dhe lëvizur është më e gjatë.
Do të ishte ky momenti i duhur për ty, për një ftesë në Kombëtare? Këtë e dinë vetëm ata që drejtojnë në Kombëtare dhe çdo vendim i tyre patjetër respektohet. Mendoj se kam qenë në një formë shumë të mirë gjatë sezonit e po ashtu ndihem shumë mirë fizikisht. Kush është ai futbollist që nuk do të luajë për kombëtaren e vendit të tij? E këtu as nuk përjashtohem, ku besoj se grumbullimi në kombëtare do të ishte “qershia mbi tortë” për sezonin që zhvillova. Megjithatë unë jam gjithmonë i gatshëm për ngjyrat kuqezi, në çdo moment që mund të vijë një ftesë.
Është Superiore shqiptare në planet e tua afatshkurta?
Për momentin nuk e mendoj një rikthim në Superiore. Dua të vijoj karrierën jashtë vendit, megjithatë kurrë nuk mund të thuash “kurrë”, pavarësisht se qëllimet e mia janë për liga jashtë rajonit.
Si e gjykon sezonin që u mbyll?
Një sezon që pati garë deri në fund dhe shumë konkurrencë. Por nga ajo çfarë kam pasur mundësi të shoh, cilësia nuk ka qenë aty ku duhet në opinionin tim. Disa futbollistë cilësorë mes tyre shumica nga Partizani u larguan nga kampionati që në janar, fakt që tregon se disa elementë që bënin diferencën u larguan dhe kjo ul nivelin e kampionatit. Gara ishte e fortë, pavarësisht kësaj dhe ishte interesante deri në fund.
I merituan pozicionet e tyre ekipet në fund të tij?
Them se po, çdo skuadër në fund merr atë që meriton në fushën e lojës. Pavarësisht se mund të kesh pretendimet në 2-3 ndeshje të caktuara gjatë kampionatit, po t’i bësh llogaritë në fund del në pozicionon ku je renditur në tabelë. Kështu të gjithë merituan dhe morën aq sa dhanë në fushën e lojës.
Keqardhje si shkodran dhe ish-futbollist i Vllaznisë që kuqeblutë nuk dolën kampionë?
Mund të them që po, edhe për tifozët më shumë që kishin kthyer në festë Shkodrën për një javë. Ku edhe pse isha larg, duke parë rrjetet sociale dhe lajmet “ndiheshe” si në qytet. Të gjithë ishin gati për të kthyer titullin që mungon prej 24 vitesh dhe që është shumë për Vllazninë realisht, por që më vjen keq që nuk u arrit. Megjithëse ky është futbolli dhe jo çdo herë shkon ashtu siç e dëshiron.
Vllaznia, tashmë ka një dyshe si Martini dhe Sinani në drejtim teknik. Lëvizje e duhur në opinionin tënd?
Dy legjenda, dy idhuj të futbollit në Shkodër dhe jo vetëm. Personalisht iu uroj shumë suksese dhe besoj se ka qenë një lëvizje e duhur nga ana e drejtuesve. Që t’ia besojnë ekipin dy figurave që e dinë shumë mirë se çfarë është Vllaznia dhe se çfarë i mungon futbollit në Shkodër.