Lushnjarët e kanë nisur kampionatin me dy barazime radhazi. Fillimisht, barazuan pa gola në transfertë me Pogradecin dhe më pas regjistruan një barazim emocionues me Skënderbeun, në shifrat 1-1. Tashmë, skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa ka një “pauzë”, për shkak të ndërprerjes së kampionatit nga ndeshjet e Kombëtares.
Fundjavën e ardhshme, verdhejeshilët do të luajnë në transfertë me Kukësin, për llogari të javës së tretë të kampionatit. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori Ersi Zaganjori shprehet: “Si fillim jam shumë i lumtur që jam në një ekip si Lushnja. Pas përfundimit me ekipin e Vllaznisë vendosa t’i bashkohem ekipit verdhejeshil.
Lushnja është një ekip me emër dhe traditë në futbollin shqiptar. Pas Vllaznisë, besoj se Lushnja ishte destinacioni më i mirë për mua dhe ndjehem shumë mirë. Djemtë e ekipit më kanë pritur mirë. Po stërvitemi çdo ditë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Kemi kualitet si ekip dhe nuk kemi frikë asnjë kundërshtar.
Për mua ekipi ishte shumë mirë në dy ndeshjet e zhvilluara. Në çdo ndeshje hyjmë për fitore. Si në ndeshjen me Pogradecin, po ashtu edhe në atë me Skënderbeun, kishim mundësi ta fitonim ndeshjen. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm dhe fitoret do të vijnë. Për mua ndeshja me Kukësin është ndeshja e radhës. Do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin. Shpresoj të marrim 3 pikët”.