Në verën e vitit të kaluar shumëkush e kritikoi për zgjedhjen që bëri. La Europën dhe Lokomotivën e Moskës për të udhëtuar drejt Arabisë Saudite tek Al Ittihad që e kishte kërkuar me ngulm, fillimisht me të drejtë parablerje, por që në fillimin e këtij viti nuk hezitoi t’ia blinte përfundimisht kartonin.

E kemi fjalën për mbrojtësin me origjinë nga Vermoshi i Malësisë së Madhe, por i lindur dhe i rritur në Athinë- MARIO MITAJ. Ai në fakt nuk është se zgjodhi paratë arabe, por preferoi të shkonte atje ku do t’i besonin një vend titullari në formacion. Zgjedhja e bërë në fakt i dha të drejtë.

Trajner ai ka një kampion bote si francezin Laurent Blanc dhe ai për asnjë moment nuk hezitoi ta aktivizonte përkrah emrave të tillë si Benzema, Fabinho, Kante etj, ndonëse lojtari i kombëtares shqiptare ishte vetëm 21 vjeç dhe nuk e kishte përvojën e tyre. Blanc i besoi edhe pas rikthimit nga operacioni duke e aktivizuar në ndeshjet e fundit të sezonit, në ato ku Al Ittihad do të siguronte titullin kampion dhe së fundi, mbrëmë fitoi edhe Kupën e Arabisë Saudite.

Dhe Mitaj ishte në qiellin e shtatë teksa festonte gjatë ceremonisë duke mbajtur të veshur flamurin kuqezi. Mario në fakt nuk ishte vetëm në festat e këtyre ditëve. Pranë vetes ka patur edhe dy prindërit e tij, Linin dhe Angjen. Përveç tyre edhe dy menaxherët, ata që i ndryshuan jetën, Silvio Pagliari dhe Benardin Kulla duke e transferuar fillimisht nga AEK tek Lokomotiva Moskë dhe së fundi tek Al Ittihad.

Benardin Kulla në fakt ka një meritë jashtëzakonisht të madhe sepse ishte ai që e “zbuloi” Mario Mitajn duke ia propozuar agjensisë italiane të menaxhimit me të cilën ai bashkëpunon dhe pjesa tjetër tashmë është histori e njohur nga të gjithë.(www.shkodrasport.com)