FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) me 200 mijë dollarë (185 mijë euro) për shkak të sjelljes së papërshtatshme të tifozëve gjatë ndeshjes ndaj Serbisë.
Takimi u zhvillua më 7 qershor në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, dhe përfundoi pa gola. Shqipëria pati mundësinë të fitonte ndeshjen, por Rey Manaj humbi një penallti në pjesën e dytë.
Sipas vendimit të FIFA-s, dënimi erdhi për shkak të ndërprerjes së himnit kombëtar të Serbisë nga tribuna, si dhe shfaqjes së mesazheve të papërshtatshme që konsiderohen të papranueshme për një ngjarje sportive.
Përveç gjobës, FIFA ka vendosur që stadiumi “Air Albania” (ose çdo tjetër ku Shqipëria do të luajë si vendase) të ketë reduktim të kapacitetit me 20 për qind në ndeshjen e ardhshme zyrtare.
Kuqezinjtë do ta ndjejnë këtë masë disiplinore që të martën, më 9 shtator, kur do të presin Letoninë në Tiranë.
Ky vendim është pjesë e një pakete më të gjerë masash disiplinore që FIFA ka marrë ndaj disa kombëtareve pas ndeshjeve të muajit qershor. /Telegrafi/