Nga Endri ÇINARI

Katër ekipe tashmë janë në “ethet” e kampionit në Shqipëri në këto momente. Kjo pasi duke nisur nga kjo fundjavë do nisin ndeshjet e gjysmëfinalave të “final 4”, me finalen e madhe që do luhet në datën 12 maj.

Patjetër vëmendja e të gjithëve në Shkodër shkon tek Vllaznia. Që ka si objektiv rikthimin e titullit kampion në qytet pas 24 vitesh. Një periudhë shumë e gjatë për skuadrën më të vjetër në vend dhe një nga ekipet me traditën më të madhe.

Por një “faktor shkodran” kanë të gjitha ekipet e “final 4” të këtij sezoni. Kjo pasi në çdo skuadër që mund të jetë fituesja e kampionatit luan një futbollist nga Shkodra. Duke nisur nga kampionët në fuqi, Egnatia. Me rrogozhinasit që prej 3 sezonesh kanë në gjirin e tyre Abdurrahaman Fangajn. Një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të kampionatit dhe një nga pikat e forta të skuadrës së drejtuar nga Tetova.

Për të vijuar me Partizanin, që po udhëhiqet nga kapiteni shkodran Marcelino Preka. Me mbrojtësin qëndror që ishte vendimtar edhe në ndeshjen e fundit kundër Elbasanit. Ku me golin e tij ishte ai që i hapi rrugën e fitores “demave” dhe futjen në “final 4”. Edhe tek Dinamo po ashtu ka një futbollist shkodran si Eridon Qardaku. Megjithëse sulmuesi nuk ka qenë një titullar i këtij ediconi për skuadrën e Dajes, ka arritur të japë kontributin e tij në disa ndeshje të këtij edicioni.

Duke mos harruar Vllazninë, ku pjesa dërrmuese e skuadrës është “vendalije”, me futbollistë të prodhuar nga akademia kuqeblu. Ku pas shumë vitesh mes suksesesh apo edhe zhgënjimesh kanë vetëm një qëllim. Kthimin e titullit kampion në skuadrën e tyre të zemrës.