Mançester Junajtid nuk do të organizojë paradë fitoreje nëse ngre trofeun e Ligës së Europës. Ky vendim është marrë në shenjë respekti për qindra pjesëtarët e stafit që kanë humbur vendet e tyre të punës këtë sezon, pas shkurtimeve nga pronarët.

Lojtarët dhe klubi kanë rënë dakord që festimet përtej mbrëmjes së të mërkurës, nëse do ta mposhtin Totenhemin në Bilbao, do të ishin të pahijshme. Ata e kanë marrë vendimin bazuar në formën e dobët të këtij sezoni dhe numrin e njerëzve që janë shkarkuar nga puna ose që rrezikojnë që të shkarkohen. Një burim tha për “The Sun”: “Lojtarët duan vërtet ta fitojnë Ligën e Europës, sepse janë të dëshpëruar për sukses në atë që ka qenë një sezon i tmerrshëm.

Nëse fitojnë, do të festojnë në fushë dhe pas ndeshjes, por kaq do të jetë. Zyrtarët e klubit janë gjithashtu të vetëdijshëm për qindra kolegët që kanë humbur vendet e tyre të punës këtë sezon dhe nuk mendojnë se një paradë do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë”.

Rreth 150-200 anëtarë të stafit po përballen me shkurtime si pjesë e procesit të uljes së kostove, pasi 250 prej tyre u shkarkuan verën e kaluar. Uljet e shpenzimeve bënë që bordi të vendosë vetëm dy bileta në dispozicion për lojtar, ndërsa transferta e familjarëve të tyre në Spanjë nuk do të mbulohet nga klubi. Kështu, trajneri Ruben Amorim është ofruar të paguajë që 30 anëtarë të stafit të tij të çojnë familjet e tyre në “San Mames”.