Katër klubet që u kualifikuan në fazën “Final 4” të Superiores, njëkohësisht kanë siguruar edhe nga një vend në Europë. Ata janë Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Partizani, sipas renditjes pas 36 javësh. Dy klubet kryeqytetase janë eliminuar tashmë, teksa titullin e merr një mes rrogozhinasve dhe shkodranëve.
Kampionia e ardhshme do të kalojë në raundet kualifikuese të Champions Ligë, kompeticioni me më shumë fitime në kontinent. Skuadra kampione do të kishte të sigurta 1.11 milionë euro vetëm nga UEFA. Në këtë shifër do të konsideroheshin shpërblimet për pjesëmarrjen në Champions dhe eliminimi në raundin e parë, si dhe pjesëmarrja në Ligën e Konferencës dhe të luajturit në raundin e dytë.
Tri skuadrat që do të luajnë në Ligën e Konferencës, të sigurta kanë 325 mijë euro. Sakaq, edhe FSHF-ja jep shpërblimet e saj. Aktualisht, katër skuadrat kanë marrë afro 1.4 milionë euro, teksa mbetet për t’u qartësuar fituesi i titullit.
