Liçensimi i klubeve të futbollit të Superligës për kompeticionet e UEFA-s por edhe për edicionin 2021-2022 ishte një nga temat, që u diskutua në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH. Eduard Gjini, Menaxheri i Liçensimit në FSHF, i ftuar në studion e emisionit ka sqaruar të gjitha proçedurat që duhen ndjekur.
Përsa i përket situatës së deritanishme, Gjini ka theksuar se një nga klubet që ka ecur më mirë në këtë drejtim është Vllaznia.
“Vllaznia është skuadra e vetme që i plotëson të gjitha kriteret, i ka plotësuar gjatë kësaj periudhe me përjashtim të një detyrimi që ka ndaj zyrës rajonale të Shkodrës. Nuk ka individ, nuk ka të tretë, i ka likuiduar të gjitha. Në dijeninë time, procesi është në gjyq, nuk ka përfunduar dhe në kushte të tilla ne nuk mund të marrim një vendim.
Në takimin që kemi zhvilluar me sponsorin Xhaferi, kemi insistuar që duhet gjetur një zgjidhje brenda datës 28 shkurt”.
“Të marrim Tiranën, luajti në Europë duke bërë një marrëveshje. Në dijeninë time, për momentin ka në proces në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve një apo dy çështje, të cilat duhet t’i zgjidhë. Ka dhe drejtorinë rajonale tatimore, me të cilën ka një marrëveshje. Tani çështja është zbatimi i marrëveshjes, deri tani është në rrugën e duhur, ne do vazhdojmë ta monitorojmë”.
“Proçesi i liçensimit ka fillur që në muajin dhjetor të vitit 2020 dhe është i shtrirë deri në përfundim të muajit maj. Normalisht kemi filluar me skuadrat e Kategorisë Superiore, me skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet e UEFA-s, me afatet e brendshme të tyre, me afatet përfundimtare. Këtë muaj kemi bërë takime dhe me të gjitha klubet e Kategorisë së Parë. Sot kemi bërë me skuadrat e Kategorisë së Dytë, gjihashu dhe me Akademitë private, po ashtu dhe me futbollin e femrave, jemi në process dhe do të vazhdojmë deri në fund të muajit maj”.
“Që nga muaji dhjetor ka nisur procesi i licensimit me dhjetë klubet e Kategorisë Superiore, gjithashtu janë dhe dy skuadra të femrave, Vllaznia dhe Apolonia, që mund të luajnë në Ligën e Kampioneve. Ne kemi bërë dy takime, ku kanë marrë pjesë, drejtorët financierët, apo menaxherët e grupeve ku kemi treguar mënyrën se si do të plotësohet dokumentacioni. Siç dhe jeni në dijeni, kriteret janë pesë: sportivë, i infrastrukturës, i administratës dhe personelit, ligjor dhe ai financiar.
KRITERI SPORTIVË – “Kriteri sportive ka disa kërkesa. Kërkesa e parë është që çdo klub duhet të ketë një program të zhvillimit të të rinjve, në të cilin janë të përfshirë shumë gjëra: financat e zhvillimit të këtij program, baza material, kualifikimi i trajnerëve. Politikat që duhet të ndjekin klubet ndaj mbështetjes mjekësore për fëmijët e Akademisë. Kohëzgjatja e këtij program, rivlerësimi i këtij program vit pas viti.
Çdo skuadër që do marrë pjesë në Kategorinë Superiore dhe në Kupat e Europës duhet të ketë minimalisht katër skuadra të sistemit zinxhir, që do të thotë: një grupmoshë nga 7-10 vjeç, një nga 10-14, një nga 14-17 dhe një nga 17-19 ose 21 vjeç. Ajo skuadër që do të marrë liçensën duhet të ketë minimalisht katër skuadra të këtij sistemi.
Janë dhe disa deklarata të testeve mjekësore, të luftës kundër racizmit, procedura të thjeshta për tu përfunduar. Listat e këtyre skuadrave, të cilat mund të kontrollohen online nga UEFA apo klubet, të jenë të aksesueshme”.
KRITERI I INFRASTRUKTURËS – “Në pjesën e infrastrukturës ne kemi kriteret kryesore, që çdo klub duhet të ketë një stadium sipas kërkesës që do ketë. Nëse një klub do marrë pjesë në UEFA duhet të ketë një stadium të kategorisë mbi dy. Nëse do marrë pjesë në Superiore duhet të ketë një stadium të kategorisë mbi dy. Nëse një klub nuk e ka, duhet të bëjë një marrëveshje me pronarin e një stadium që plotëson kriteret.
Të gjitha stadiumet e Superiores janë të kategorisë dy, me përjashtim të stadiumit të Kamzës, që për sezonin tjetër, me këto kushte, nuk liçensohet. Pjesa e infrastrukturës kërkon dhe një çertifikat sigurie. Stadiumet që janë me drita duhet të marrin dhe një çertifikat për dritat”.
KRITERI I ADMINISTRATËS DHE PERSONELIT – “Çdo klub që do të aplikojë për të marrë pjesë në kompeticionet e FSHF-së duhet të plotësojë disa kërkesa. Duhet të ketë një zyrë, një sekretar klubi, një akses në internet, një adresë email, një telefon. Pra, që mund ta kontaktosh në çdo kohë. Duhet të ketë një liste të personave, që të mos dalim përsëri tek ajo që po ndodh me merkaton. Tirana ka harxhuar shume lekë, duke bërë gjyqe me FIFA-n për lojtarët. Do paguhej një jurist, që do ishte pjesë e kësaj liste dhe do kurseheshin miliona euro, që janë harxhuar”.
“Fakti që presidenti Duka u takua me të gjithë presidentët e klubeve, një e nga një, do të thotë se ne kemi marrë një angazhim, jemi të hapur për të dhënë ndihmën tonë në çdo moment. Është një proçedurë që duhet bërë, është në të mirën e klubit”.
KRITERI LIGJOR – “Shteti shqiptar ka tre forma ligjore që njeh: shoqëritë aksionere, shpk-të dhe shoqatat. Shoqëritë Aksionere dhe SHPK-të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Shoqatat regjistrohen në Gjykatë. Çdo klub që aplikon për të marrë një Liçensë të çfarëdolloji kategorie, duhet të ketë një nga format ligjore”.
KRITERI FINANCIAR – “UEFA, siç është rregulli auditon të gjitha federatat. Jo më larg se muaji tetor edhe ne kemi patur një audit. Duke marrë shkas dhe nga situate në të cilën ndodhemi, UEFA ka vendosur që klubet ti hedhin online të gjitha dokumentacionet, që nga bilanci si dhe disa paketa financiare. Të gjitha klubet duhet të paraqesin pranë Komisionit të Liçensimit një dokument nga drejtoritë rajonale tatimore të qytetit ku funksionojnë, ku duhet të jetë e deklaruar që nuk kanë asnjë detyrim karshi taksave.
Nëse një klub ka një problem të tillë, atëherë duhet të bëjë një marrëveshje me institucionin, ku duhet të paguaj 20 apo 30% të parave kesh, për të arritur këtë marrëveshje dhe ta respektojë atë duke bërë pagesën përkatëse çdo muaj. Gjithashtu, duhet paraqitur dhe një dokument se klubi përkatës nuk ka asnjë detyrim ndaj individëve të caktuar, ndaj klubeve të tjera, shqiptare apo të huaja”.
“Të gjitha këto dokumenta , bashkë me borderotë e 12 muajve, në rastin konkret të vitit 2020, të stampuara nga drejtoria rajonale e qytetit, në të cilin ndodhet klubi, duhet të vijnë, maksimumi deri më 28 shkurt për afatin e brendshëm dhe deri më 31 mars me ligjin shqiptar për afatin përfundimtarë dhe të UEFA-s “.
“Dita e djeshme(31 janar) ka qënë afati për katër kriteret e para: sportive, i infrastrukturës, i administratës dhe personelit, ligjor. Nëntë klube i kanë dorëzuar në datën 30, dje i ka sjellë klubi i fudit, që ishte Bylis, sigurisht brenda afatit. Dokumentet e dhjetë klubeve janë në proces kontrolli. Sigurisht, nga ajo që kemi parë deri tani ka disa mangesi, por është bërë mbi 90% e punës. Mangësitë kanë kohë një muaj për tu plotësuar”.