Denis Pjeshka paralajmëron rivalët se po vjen një Flamurtar i fortë në Superioren e këtij sezoni.Kapiteni 30-vjeçar i vlonjatëve pohon se janë realizuar investimeve të mëdha dhe lojtarëve u del për detyrë që t’i përgjigjen me rezultate. Për “Panorama Sport”, Pjeshka premton një Flamurtar dinjitoz, që do t’i bëjë të gjithë krenarë.
“Unë kam bindjen dhe gjykoj nisur edhe nga puna profesioniste e klubit dhe stafit teknik, se ky do të jetë një Flamurtar i fortë. Këtë vit janë bërë investime më të mëdha. Normalisht që synojmë dhe të punojmë që të jemi ende më të fortë. Ne duam të arrijmë objektiva të mëdha këtë sezon. Me këtë ekip që kemi, por edhe me mbështetjen e presidentit Sinan Idrizi, që po na jep në suport të madh financiar, por edhe moral, kam bindjen se do të bëhet më e mira në këtë sezon dhe të gjithë do të shikojnë një Flamurtar dinjitoz e që do t’i bëjë të gjithë krenarë”, shprehet fillimisht Pjeshka.
MERKATO – Denis Pjeshka flet edhe për merkaton. Shkodrani thotë se kanë ardhur futbollistë me emër dhe që duhet të japin shumë për fanellën. “Kanë ardhur lojtarë të rinj dhe do të shikojmë. Është shumë herët për të folur. Por normalisht kanë ardhur lojtarë me emër, që duhet të japin për Flamurtarin. Është bërë një punë e mirë dhe cilësore në merkato. Futbollistët që kanë ardhur bëjnë diferencën dhe kanë qenë emra në skuadrat ku kanë qenë më parë. Shpresojmë që të na ndihmojnë për të arritur objektivat e këtij sezoni”, thotë kapiteni.
FAZA PËRGATITORE – Kapiteni Denis Pjeshka ndalet edhe te përgatitjet në Turqi. Sipas tij, skuadra po stërvitet intensivisht. “Pas dy javësh fazë përgatitore intensive që zhvilluam në Vlorë, tashmë jemi zhvendosur drejt Turqisë për një fazë përgatitore 20-ditore. Skuadra po përgatitet mjaft mirë dhe po merr ngarkesë të plotë. Po zhvillojmë dy seanca stërvitore në ditë. Kemi të planifikuara edhe ndeshje miqësore. Reagimi i ekipit është shumë i mirë dhe të gjithë janë të fokusuar te puna dhe përgatitjet. Futbollistët janë të përqendruar në zbatimin e detyrave të stafit teknik dhe çdo gjë po ecën shumë mirë, sipas të gjitha parashikimeve”, përfundon Pjeshka