Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, analizoi në konferencën për shtyp pas ndeshjes barazimin 3-3 ndaj Interit, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve:

Ka qenë një ndeshje e çmendur, që mund të fitohej. Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë do të nevojitet në Milano?
Sot luajtëm futboll në një nivel shumë të lartë, në një gjysmëfinale Champions-i. Nuk e nisëm mirë, pësuam dy gola, njëri prej tyre nga një goditje standard. Interi ka cilësi më të mëdha se ne në këto situata, por duhet të mbroheshim më mirë. Kemi pasur të njëjtat probleme edhe ndaj Atlético Madridit, duhet të përmirësohemi.

Çfarë iu thatë lojtarëve tuaj?
Nuk iu thashë shumë. Mendoj se nesër do të kemi kohë për të analizuar gjithçka. E vlerësova mënyrën se si luajtëm dhe si arritëm të rikuperonim rezultatin. Lamine në pjesën e parë ishte shumë i rëndësishëm për ne, krijoi raste dhe shënoi.

Lamine dukej në dyshim gjatë nxehjes…
U kontrollua nga mjekët dhe vendosëm që të luante. Të gjithë e dinë çfarë është në gjendje të bëjë Lamine, është një lojtar fantastik. Në ndeshje të mëdha shfaqen cilësitë e lojtarëve të mëdhenj. Në ndeshjen e kthimit kemi 90 minuta të tjera të zjarrta, shpresojmë që të na mjaftojnë për të shkuar në finale.

Pësuat tre gola të evitueshëm, a duhet të punoni mbi këto detaje?
Sigurisht. Çdo skuadër ka forcat dhe dobësitë e saj. Interi është fizikisht i fortë dhe me përvojë, e shfrytëzon çdo rast. Edhe ne do të kemi shanset tona në kthim. Kur luan çdo tri ditë nuk është e lehtë të punosh mbi disa gjëra, por situata është kjo. Ndodhin këto gjëra, por skuadra do të japë maksimumin në kthim. Mendoj se sot të gjithë tifozët e panë ndeshjen njësoj si unë, që skuadra luajti shumë mirë. Ky është futbolli që duam të luajmë, duam ta dominojmë kundërshtarin. Edhe Interi është shumë i fortë, me një grup që luan prej kohësh së bashku, që vrapon shumë, që ndryshon pozicionet dhe është i jashtëzakonshëm në goditjet standarde.

Inzaghi tha që Lamine është një fenomen që lind çdo 50 vite…
Mendoj se është i veçantë. Është një gjeni. Pas ndeshjes, kur rishikon momentet, e kupton që disa nga ato që bën janë të pabesueshme. Pastaj mendoni për moshën e tij… Më e rëndësishmja për mua është që vazhdon t’i tregojë këto gjëra në ndeshje si kjo, në një gjysmëfinale Champions-i. Këtë i kërkojmë dhe ai gjithmonë përgjigjet në ndeshjet e mëdha. Mendoj se edhe kënaqet duke luajtur. Jam shumë i lumtur që një talent që shfaqet çdo 50 vite është pjesë e Barcelonës.

Balde dhe Lewandowski a do të jenë gati për kthimin?
Shpresojmë që të jenë, por duhet të presim që stafi mjekësor të japë miratimin, ashtu si ndodhi sot me Lamine.