Nga Maringlen ZHIVANI

Te Vllaznia, menjëherë pas ndeshjes finale me Egnatiasn, të gjithë futbollistët dhe një pjesë e stafit teknik janë shpërndarë dhe kanë nisur pushimet pas një sezoni mjaft të ngjeshur dhe të lodhshëm.

Në fakt, siç shihet edhe në postimet e publikuara në rrjetet sociale, shumica e tyre janë bashkuar me familjet ose kanë udhëtuar për të vizituar vende jashtë vendit.

Nga sa mësohet, sipas planit, kuqeblutë pritet të kthehen pas afro 10-ditësh, me datën që mbetet për t’u saktësuar. Me t’u kthyer, një pjesë e tyre do të ulen me klubin për rinovime të mundshme dhe disa të tjerë për largime, teksa pjesa më e madhe do të nisin përgatitjet për ndeshjet e Conference League.

Sa u përket afrimeve, gjithçka mbetet e “ngrirë” në lidhje me marrëveshjet, por kjo nuk i ka ndaluar drejtuesit të nisin kontaktet me futbollistë të ndryshëm, teksa emrat për momentin mbahen sekret.(www.shkodrasport.com)