Ditët e fundit, mediat sportive shqiptare kanë raportuar për një lëvizje të mundshme surprizë nga drejtuesit e Flamurtarit të Vlorës, të cilët thuhet se janë duke tentuar rikthimin në Shqipëri të trajnerit të njohur italian, Gianni De Biasi. Emri i De Biasit është i lidhur ngushtë me një nga kapitujt më të ndritur të futbollit shqiptar, pasi ishte ai që udhëhoqi Kombëtaren drejt kualifikimit historik në Kampionatin Europian “Euro 2016”.
Megjithatë, përflitet se drejtuesit e klubit vlonjat, të cilët po punojnë për një projekt ambicioz rikthimi në elitë, po kërkojnë një figurë të njohur për të sjellë stabilitet dhe për të rritur profilin e skuadrës. Në këtë kuadër, përmendja e De Biasit ndezi menjëherë interesin e opinionit publik.
Por, i kontaktuar nga gazetarja e A2 CNN, Dea Kozma, vetë trajneri italian i ka mohuar këto zëra. “Nuk më ka kontaktuar askush nga Flamurtari. Nuk mund të them sesi do të shkojnë gjërat në të ardhmen, por tani nuk ka asgjë,” është shprehur ai për A2 CNN.
Ky reagim hedh poshtë për momentin mundësinë e një bashkëpunimi mes palëve, megjithatë lë një derë hapur për të ardhmen. (A2 Televizion)