Sezoni i Espanjol në La Liga nuk ka shkuar ashtu siç shpresonte skuadra katalanase, e cila e sheh ende veten të përfshirë në luftën për mbijetesë kur mbetet vetëm një javë nga mbyllja e kampionatit.
Dhe në javën e fundit, ndaj Las Palmas, i duhet medoemos që të bëjë të paktën të njëjtin rezultat të Leganes për të qenë i sigurt për qëndrimin në elitë.
Por në këtë ndeshje, nuk do të ketë shërbimet e Marash Kumbullës. Në humbjen ndaj Osasunës, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u ndëshkua me karton të verdhë. Ky ishte i 10-i në këtë edicion për Kumbullën, duke plotësuar numrin e kartonëve që sollën pezullimin e tij.
Kumbulla ishte kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të prapavijës së Espanjolit në këtë sezon, duke luajtur 35 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre, teksa ka shënuar edhe 3 gola në La Liga. Ndaj Osasunës praktikisht ishte ndeshja e fundit me këtë klub, pasi lojtari do të mbyllë huazimin dhe do të kthehet te Roma që zotëron kartonin e tij.