Në një vit në të cilin gara për Topin e Artë është më e pasigurt se kurrë, me shumë protagonistë që kanë lënë gjurmë me performanca të shkëlqyera, siç janë sulmuesit Ousmane Dembélé dhe Lamine Yamal, por edhe mbrojtësi maroken Achraf Hakimi, ka nga ata që propozojnë një emër “të ndryshëm”: Gianluigi Donnarumma.

Ky është mendimi i Vincenzo Raiola-s, menaxheri i tij, i cili në një intervistë me Gazzetta dello Sport përsëriti rëndësinë e portierit italian në triumfin e PSG-së në Champions League.

“Për mua, Gianluigi meriton Topin e Artë. Dembele ka bërë shumë me golat e tij, por pa pritjet e Donnarumma-s kundër Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, PSG nuk do ta kishte fituar kurrë Champions League”, deklaroi Raiola.

Menaxheri foli gjithashtu për të ardhmen kontraktuale të Donnarumma-s, aktualisht i lidhur me klubin parisien deri në vitin 2026:

“Po diskutojmë. Një negociatë kaq e gjatë nuk është e çuditshme kur flet për portierin më të mirë në botë. Jemi optimistë, PSG është një klub i shkëlqyer.

“Le t’i lëmë këto ndeshje të fundit të sezonit të kalojnë dhe pastaj do të përpiqemi të gjejmë një marrëveshje në një kohë të arsyeshme”, shpjegoi ai.

Midis Topit të Artë dhe një të ardhmeje që do të shkruhet, Donnarumma po jeton momentin më të mirë të karrierës së tij./telesport/