Nga Gjergj KOLA

Humbja e Vllaznisë në ndeshjen e parë debutuese të sezonit 2025-26, në turin e parë të Conference League ka lënë shumë të zhgënjyer ambientin e futbollit në Shkodër. Disfata në shifrat 0-1 ndaj një skuadre modeste si Daugavpils i Letonisë, nuk është “kapërdirë” aspak lehtë. Pavarësisht se për kuqeblutë gjithçka ngelet e hapur, pasi humbja ka ardhur në një rezultati minimal.

Megjithatë tifozët e kuqebluve, të cilët u privuan edhe për ta ndjekur sfidën nga shkallët e stadiumit, pasi dueli u luajt në Elbasan, kanë “shpërthyer” me kritika në rrjetet sociale. Shumica prej tyre kanë gjykuar ashpër lojën e shkodranëve e cila nuk ishte aspak në nivel dhe pavarësisht se u krijuan disa raste, sipas mbështetësve shkodranë, skuadra nuk dha asnjëherë “shkëndijën” se mund ta fitonte dhe dëshironte këtë sukses.

Shumica e komenteve ishin në lidhje edhe me praninë e pakët të tifozëve në stadium. Duke ironizuar me fjalët “ja ku përfundoni pa tifozët në krah”. Një “acarim” ndoshta i kuptueshëm i tifozerisë shkodrane që njihet si një nga më të zjarrtat në vend. Dhe jo vetëm kërkojnë sukseset çdo herë që zbret në fushë skuadra tyre e zemrës, por kërkojnë edhe nivel loje nga ana e 9 herë kampionëve të vendit.

Por, kishte nga ata që e shihnin edhe “gotën gjysmë plot”. Duke vlerësuar përpjekjet dhe rastet e shkodranëve e duke shpresuar në një përmbysje të rezultatit në ndeshjen e kthimit pas një jave.(www.shkodrasport.com)