Skënderbeu ka mbyllur me shumë mundësi ekipin për sezonin e ri dhe vetëm ndonjë çudi në momentet e pragnisjes së kampionatit mund të ndryshojë diçka sa i përket organikës së korçarëve për sezonin e ri.Të paktën kjo është ajo që trajneri Ivan Gvozdenoviç ka parë nga testi i fundit miqësor përballë Tiranës. Një ekip që ka funksionuar në përqindjen më të madhe të lojës deri në momentin kur ekipi ndryshoi shumë elemente. Duket se diçka e tillë ka sjellë bindjen te trajneri i Skënderbeut se ekipi është plotësisht i kompletuar dhe nuk ka nevojë për ndryshime të tjera me përjashtim të rasteve specifike.

Për Gvozdenoviçin, Skënderbeu është një ekip që ka pësuar rritje të vazhdueshme çdo ditë dhe kjo është diçka që sipas trajnerëve shihet me sy të lirë. “Të jem i sinqertë jam shumë i kënaqur me atë që ekipi tregoi në pjesën e parë të takimit kundër Tiranës, madje deri në minutën e 60-të kur erdhën ndryshimet e para. Ishte një ekip që kishte balancë në dy fazat e lojës, grintë dhe mbi të gjitha dëshirë për të bërë mirë dhe për të treguar vlerat e veta. Kjo është një faktor shumë i rëndësishëm, pasi flet qartazi për një ekip që ka ambicie dhe mua kjo më pëlqen.

Grupi është thuajse i plotë me vetëm disa vonesa në gjendjen e lojtarëve që janë bashkuar së fundi me skuadrën dhe kanë nevojë për rritjen e formës fizike për të dhënë potencialin e tyre në fushë dhe në shërbim të ekipit. E them me bindje se ky grup po rritet dita-ditës dhe është një rritje konstante që mund të shihet shumë lehtë. Prandaj them se në masën 90% jemi gati për sezonin e ri dhe ky do të jetë grupi i plotë i Skënderbeut për sezonin e ardhshëm”, ka thënë fillimisht Gvozdenoviç për gazetën.

MERKATO – I ndalur më pas te merkatoja trajneri i Skënderbeut përjashtoi mundësinë e lëvizjeve të shumta, pasi mund të dëmtojnë ekipin, teksa i hapi rrugë një dhurate të fundit nga Ardjan Takaj për sezonin e ri. “Merkatoja është e hapur deri në fund të gushtit dhe javët e fundit janë të paparashikueshme. Unë jam i bindur se ky ekip nuk ka nevojë për shumë ndryshime, pasi mund të sjellin prishjen e balancave të krijuara deri tani, por nuk i them jo edhe ndonjë dhurate të fundit nga presidenca, që mund të shtojë më shumë forcën e skuadrës”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i korçarëve.