Mos u çudisni nëse Teuta ndryshon pronar në një të ardhme të afërt. U përfshi fjala “çudi”, sepse në krye të klubit durrsak është presidenti më jetëgjatë i Kategorisë Superiore, Edmond Hasanbelli.
Ky i fundit e ka marrë Teutën në dorëzim që në vitin e largët 1999 dhe e ka mbajtur në një iniciativë tërësisht personale, e udhëhequr nga një pasion “i sëmurë” për futbollin, për plot 26 vite, pra, më shumë se çerek shekulli. Por çdo gjë e ka një fund dhe për Hasanbelli e Teutën mund të ndodhë ndarja që askush nuk e pret.
OFERTA – Burime jozyrtare të klubit durrsak bëjnë me dije për gazetën se disa investitorë shqiptarë, emrat e të cilëve mbeten të fshehtë deri në këtë moment, i kanë hedhur në tavolinë Hasanbelliut mundësinë e shitjes së Teutës. Klubi blu është një nga më historikët në vend, shto këtu që zotëron edhe një stadium si “Niko Dovana” dhe shifra e blerjes nuk mund të konsiderohet aspak modeste.
Nga ajo që mësohet nga gazeta, propozimi i ardhur në rrugë jozyrtare për blerjen e Teutës është plot 10 milionë euro. Kjo shifër nuk do të përkthehej e gjitha në para për Hasanbelli. Gjysma, pra, 5 milionë, janë propozuar për të kaluar në para dhe pjesa tjetër është llogaritur për t’u vlerësuar në kalimin e pasurive të paluajtshme.
HEZITIMI – Siç e thamë, Hasanbelli nuk e ka nisur dje me futbollin, çka do të thotë se është një person që e di mirë çfarë ka në dorë dhe sa vlejnë asetet e klubit të tij. Për momentin, ai u ka kthyer ofertuesve një përgjigje negative, teksa nga ana tjetër gjithçka mbetet e hapur dhe në vijim mund të mbërrijë edhe një tjetër ofertë, ndoshta më e përmirësuar.
Në fakt, lajmet për shitjen e mundshme të Teutës kanë qarkulluar edhe më parë, por Hasanbelli duket se nuk ka ndërmend ta dorëzojë pa ofertën që plotëson kushtet e tij. Një opsion, që presidenti mund ta vërë në tavolinë për të interesuarit do të ishte edhe bashkëpunimi në formën e investitorëve, një rol që në të shkuarën e ka mbajtur Ardian Bardhi, pronari aktual i Dinamos.
STADIUMI – Sipas burimeve, një nga elementet që ka tërhequr investitorët për të blerë Teutën është stadiumi “Niko Dovana”. Është mësuar prej kohësh se impianti do t’i nënshtrohet një rimodelimi total, i ngjashëm me atë që do të ndodhë në “Selman Stërmasi”, dhe kjo mund të ketë ndikuar që investitorët të afrohen dhe të japin propozimet e tyre, duke llogaritur edhe investimin që mund të bëhet jashtë stadiumit.