Nga Endri ÇINARI
Një nga lojtarët që spikati sidomos me grintën dhe shpirtin e garës në fitoren e fundit të Vllaznisë kundër Dinamos ishte edhe Klinti Qato. Mesfushori nga Kuçova edhe njëherë tjetër si shpesh herë këtë edicion ishte një nga “maratonomakët” e sfidës. Ku për 75 minuta që qëndroi në fushë ishte një nga lojtarët që përshkoi më shumë kilometra.
Por patjetër duke i dhënë dinamikë edhe mesfushës shkodrane e po ashtu duke qenë i rrezikshëm edhe në sulm. Ku pavarësisht se humbi një rast flagrant në një moment ku shifrat ishin 2-1, ky fakt nuk e zbeh aspak performancën e 27-vjeçarit, i cili për ndeshjen që zhvilloi mori duartrokitje të panumërta nga tifozët e pranishëm në “Arena Kombëtare” ditën e dielë.
Një vlerësim nga ana e tifozerisë kuqeblu për atë që shpesh e cilësojnë si “pitbulli” i Vllaznisë. Pasi është i kudondodhur, në çdo cep të fushës dhe duke luftuar për çdo top. Një grintë dhe personalitet që Vllaznisë në këto momente ku ka përpara vetëm finalen e kampionatit , i duhet më shumë se kurrë. Dhe Klinti Qato garanton për të në kampin shkodran.
Kujtojmë që Qato u afrua në merkaton e verës së shkuar tek Vllaznia. Ku më parë ishte pjesë e Laçit e ndërsa për sezonin 2024-25 mbrojti ngjyrat kuqeblu. Me Vllazninë gjatë këtij edicioni ai është aktivizuar në 31 ndeshje, ka shënuar edhe 3 gola në kampionat.(www.shkodrasport.com)