Luka Modriç do të jetë lojtari më i ri i Milanit. Mesfushori kroat ka pranuar ofertën e klubit italian dhe pritet të transferohet si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Real Madridin.

Sipas La Gazzetta dello Sport, takimi vendimtar ndodhi të martën në Rijeka, ku drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, mori konfirmimin personal nga Modric. Kroati do të firmosë një kontratë njëvjeçare me opsion për rinovim edhe për një sezon tjetër.

Paga e Modric pritet të jetë rreth 3.5 milionë euro neto në sezon. Detajet për opsionin e vitit të dytë do të finalizohen në orët në vijim, ndërsa vizitat mjekësore janë planifikuar për javën e ardhshme në Milano.

Një tentativë e fundit për ta bindur Modric që të kthehej në Kroaci u bë nga Zvonimir Boban, presidenti i Dinamo Zagreb. Boban kërkoi që ai ta mbyllte karrierën te klubi i vendlindjes.

Modric, megjithatë, refuzoi me mirësjellje dhe e njoftoi Bobanin për vendimin e tij për t’u bashkuar me Milanin. Ai e falënderoi për respektin dhe miqësinë, por theksoi se ishte gati për një sfidë të fundit në elitën evropiane.

Ironikisht, Modric ishte rritur si tifoz i Milanit pikërisht për shkak të Bobanit, idhulli i tij i rinisë. Tani, rrugët e tyre takohen sërish, por me Modricin që nis një kapitull të ri në klubin ku Boban bëri histori. /Telegrafi/