Midis seancave stërvitore dhe negociatave për transferime, Milani i ri i Igli Tare dhe Massimiliano Allegrit po hedh hapat e parë. Për drejtorin sportiv, qasja ndaj mjedisit të kuqezinjve është krejtësisht e re, ndërsa për trajnerin, është një rikthim 11 vjet pas largimit të tij, në një mjedis thellësisht të ndryshuar. “Jam shumë i befasuar nga organizimi i klubit”, pranoi Tare gjatë një eventi me sponsorët.

“Ata më kanë vënë mua dhe trajnerin në pozicionin më të mirë të mundshëm për të punuar dhe për të siguruar që projekti të ketë një fillim të mirë. Megjithatë, ka ende shumë rrugë për të bërë”.

Vendimi për t’ia besuar Allegrit një ekip që vinte nga një sezon zhgënjyes nuk ishte rastësi: “Na duhej një reagim i fortë menjëherë me një trajner me përvojë dhe fitues.

Nuk kishte dyshime dhe unë e Giorgio shkuam në Lugano për të folur me trajnerin. Në ato dy ose tre orë, kuptuam se kishte një dëshirë për të nisur këtë udhëtim. Të tre do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë”.