Nga Maringlen ZHIVANI


Pas sigurimit të ngjitjes në Kategorinë e Parë si kampionë të sezonit, Iliria ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Klubi ka konfirmuar edhe zyrtarisht vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Dritan Smajli, i cili udhëhoqi ekipin drejt këtij sukesi.

Drejtuesit, përveç rinovimit me trajnerin Smajli, kanë arritur marrëveshjen edhe me një pjesë të konsiderueshme të futbollistëve që ishin pjesë e skuadrës sezonin e kaluar.

Kështu, emra të njohur si portieri Dashamir Xhika, Adolf Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani, Aristotel Koleci, Gjergji Përgjoni dhe sulmuesi Redi Veriu kanë rinovuar me Ilirinë. Ndërkohë, edhe dy futbollistë të rinj, siç janë Elion Stafa dhe Jurgen Bakalli kanë rënë dakord me drejtuesit që të jenë pjesë e ekipit nga Fushë-Kruja edhe në Kategorinë e Parë.

Klubi i Ilirisë do të kërkojë të ruajë kontigjentin për sezonin e ardhshëm, për të shpresuar më pas në një sezon pozitiv në Kategorinë e Parë, ku synimi do të jetë qëndrimi aty.(www.shkodrasport.com)