Nga Maringlen ZHIVANI
Iliria po mundohet të bëjë një merkato të studiuar, duke ruajtur boshtin e sezonit të kaluar, teksa janë afruar futbollistë me cilësi të larta. Ky ekip, pasi largoi 10-lojtarë, tashmë ka afruar tetë të rinj. Ndërkohë që, priten edhe dy prurje të tjera. Tek ish-skuadra që doli kampione në Kategorinë e Dytë kanë mbijetuar futbollistë me përvojë, si portieri Dashamir Xhika, që do të ketë edhe “gardianin” tjetër Arbër Jata, i afruar në këtë merkato.
Gjithsesi, pritet që ekipit t’i bashkohet edhe një portier i tretë, i cili ndoshta mund të zgjidhet nga portierët e moshave të Ilirisë. Në sektorin mbrojtës rreshtohen nga “garda e vjetër”, Amir Kallaku, Gjergj Përgjoni, Adolf Selmani, Brajan Selmani, Elion Stafa, duke u përforcuar me Franci Lala, në qendër të këtij sektori.
Mesfusha duket se do të jetë “top”. Kështu, përveç dy dirigjentëve qëndrestar të kësaj skuadre, Eristotel Koleci dhe Andrea Pjetri, do të jenë edhe Arbër Deliu, Fjorest Grimçi, Bledar Likaj, Xhemsian Çereku dhe Xhuliano Markoçi. Ky sektor është përforcuar më shumë nga afrimi i fundit i merkatos, pikërisht nga braziliani Bruno Arrabal.
Me këto përforcime, duket se edhe mesfusha është e plotësuar. Në vijën sulmuese, nga ish-ekipi i sezonit të kaluar kanë mbetur Redi Veriu, Sikiru Olatunbosun, Santiago Selmani dhe Rafael Villareal, që përforcohen më tej me Gresild Lika dhe Mentor Mazrekaj.(www.shkodrasport.com)