Kupa e Botës për Klube fillon natën mes së shtunës dhe të dielës, dhe FIFA po përballet me një problem të madh – interesi për këtë garë nuk është aspak afër asaj që kishin shpresuar.

Ndeshja e parë e Kupës së Botës për Klube në formatin e ri me 32 skuadra do të luhet në stadiumin Hard Rock në Miami midis Inter Miamit dhe Al-Ahly nga Egjipti.

FIFA e caktoi qëllimisht këtë ndeshje për hapjen e garës sepse shpresonte që Lionel Messi do të tërhiqte spektatorë, por kjo nuk ndodhi. Stadiumi Hard Rock ka një kapacitet prej 65,000 vendesh dhe u shitën vetëm 20,000 bileta.

Biletat dolën në shitje në dhjetor dhe në atë kohë çmimi më i lirë ishte deri në 303 euro. Duke qenë se shitjet ishin katastrofike, çmimet u ulën vazhdimisht dhe tani biletat mund të blihen për 48 euro.

Por kjo nuk është e gjitha. FIFA, nga frika e tribunave gjysmë të zbrazëta, nënshkroi një kontratë me Kolegjin Miami Dade, i cili ka 100,000 studentë, dhe çdo student që blen një biletë, e cila kushton 3.5 euro, merr katër bileta falas.

“Stadiumi do të jetë plot dhe atmosfera do të jetë e pabesueshme. Është e vërtetë që ka ende vende të lira, por ne do të shesim bileta në ditët në vijim”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. /Telegrafi/