Nga Maringlen ZHIVANI

Alban Neziri, drejtori i Akademisë së Vllaznisë, ishte i pranishëm në Letoni, aty ku futbollistët kuqeblu luajtën një ndeshje dinjitoze me Daugavpils. Në një intervistë të Nezirit për “Shkodra Sport”, ai tha se ka qenë ai që ka këmbëngulur që në moshën 14-vjeçare talenti Kevin Dodaj të jetë pjesë e Akademisë Vllaznia. Po ashtu, Neziri shtoi se e ardhmja e futbollistëve të rinj shkodranë është shumë premtuese. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Kubazi një lojtar nga Akademia që debutoi në Europë, por jo vetëm ai, pasi ka edhe futbollistë të tjerë, cilat janë ndjesitë tuaja si drejtor, kur shikoni lojtarët tuaj duke debutuar në ekipin e parë?

Është një ndjesi e veçantë jo vetëm e imja, por e gjithë stafit të Akademisë që kanë punuar ndër vite me Kubazin, Arën, Qarrin, Jukaj, Tafilin, Grudën, Delaj, Hajdari, Smajli, Brahimi e shumë futbollistë të tjerë që kanë debutuar me ekipin e parë në këto vite. Dua të falënderoj presidentin Alban Xhaferi në rradhë të parë që ka shumë vite që këmbëngul në filozofinë e tij për përkrahjen e futbollistëve të rinj, por edhe për besimin e madh që ka për futbollistët shkodranë. Kam shprehur gjithmonë mendimin tim tek presidenti Xhaferi që ekipi i parë t’i besohet një trajneri shkodran, sepse janë ato që e njohin më mirë filozofinë dhe strukturën e këtij klubi. Tani, ku ka më mirë se në drejtim të ekipit të parë janë dyshja Martini-Sinani, dy legjenda të klubit tonë që e ndiejnë se çfarë është fanella e këtij qyteti. Prandaj, të gjithë futbollistët e rinj ka fatin dhe luksin të punojnë e të rriten në drejtimin e tyre.

-Së fundmi u shit edhe Dodaj, si ndiheni kur në fakt realizohet edhe një shitje e bujshme në një klub si CSKA Sofia, por edhe Dodaj e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme?

Për Dodajn jam shumë i lumtur, sepse me modesti ka qenë një ndër këmbënguljet e mia më të mëdha te presidenti Xhaferi që në moshën 14-vjeçare, që ky futbollist të jetë pjesë e Akademisë tonë dhe të ketë disa bonuse nga klubi, duke pasur parasysh teknikën, inteligjencën, driblimin me top një kundër një që në moshë të vogël, karakterin dhe dëshirën e madhe të tij që kishte për të veshur fanellën e Vllaznisë. Poashtu, dua të falënderoj publikisht të dy prindërit e tij, por në veçanti babain e tij, Rrok Dodaj, si një njeri shumë fisnik, ku për dy vite rresht ka bërë një sakrificë të madhe që Dodaj të bënte rrugën Pukë-Shkodër çdo ditë vetëm që të ishte pjesë e Akademisë Vllaznia. I uroj suksese dhe pres që një ditë ta mbyllë karrierën te Vllaznia si Balaj, sepse ai dhe e gjithë familja e tij janë tifozë të mëdhenj të ekipit të Vllaznisë.

-Si e shikon të ardhmen e futbollistëve të dalë nga Akademia Vllaznia në ekipin e parë?

E ardhmja e futbollistëve të dalë nga Akademia e Vllaznisë në ekipin e parë duket premtuese, por kërkon një qasje më të qëndrueshme dhe strategjike nga klubi. Shumë talente kanë treguar vlera të mëdha në moshat e reja, por sfida kryesore është kalimi i tyre me sukses në ekipin e parë. Për këtë, është e nevojshme që të kenë minuta të rregullta loje, mbështetje nga stafi teknik, sidomos nga trajneri Edi Martini dhe një ambient që beson te rinia. Nëse këto kushte plotësohen, besoj se Vllaznia mund të ndërtojë një skuadër konkurruese me baza të forta vendase.

-Cilat do të jenë hapat që ju si drejtor i këshilloni futbollistëve të rinj në ekipin e parë?

Në ekipin e parë nuk mjafton talenti, por edhe karakteri dhe sjellja janë po aq të rëndësishme. Shkalla e gabimeve duhet të jetë më e ulët, pasi edhe ritmi është më i lartë dhe çdo detaj vlen. Duhet të dëgjojnë me shumë rrespekt dhe profesionalizëm stafin e ekipit të parë. Duhet të përkujdesen shumë edhe për jetën jashtë fushe. Duhet të kenë kujdes nga rrjetet sociale, shokët e gabuar, presioni nga familja apo edhe nga menaxherët. Këto gjëra mund t’i dëmtojnë shumë futbollistët e rinj.

-Cili është mesazhi për futbollistët e tjerë në Akademi?

Unë dua t’u them se janë pjesë e një familjeje të veçantë. Akademia Vllaznia nuk është thjesht një vend stërvitjeje, por një shkollë futbolli dhe karakteri. Veshja e kësaj fanelle është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Kam një këshillë për ta, që suksesi nuk vjen brenda ditës, por ndërtohet çdo ditë, me djersë, përkushtim dhe sjellje korrekte. Ne nuk kërkojmë vetëm futbollistë të mirë, por edhe njerëz me vlera, që përfaqësojnë qytetin dhe klubin me krenari. Shembujt i kanë mes tyre. Disa bashkëlojtarë të tyre janë grumbulluar në ekipin e parë, sepse punuan në heshtje, dëgjuan këshillat dhe u rritën çdo ditë. Ata treguan se çdo gjë është e mundur. Rradha vjen për secilin që është gati. Prandaj, i nxis ata të bëjnë stërvitje me seriozitet, edhe kur nuk ka ndeshje. Të rrespektojnë trajnerët, bashkëlojtarët dhe veten e tyre.

-Cila do të jetë filozofia dhe struktura e Akademisë së Vllaznisë për sezonin e ardhshëm?

Qëllimi kryesor është t’i zhvillojmë dhe t’i përgatisim futbollistët teknikisht, taktikisht dhe emocionalisht, në mënyrë që të jenë të aftë për t’u integruar në ekipin e parë të Vllaznisë. Fokusi do të jetë në zhvillimin individual, jo vetëm tek fitoret. Kemi si pikësynim të rrisim numrin e futbollistëve që kalojnë në ekipin e parë. Po ashtu, do shtojmë analizat me video edhe në stërvitje. Do kemi një bashkëpunim të ngushtë me trajnerin e ekipit të parë, Edi Martini, në mënyrë që gjithçka të jetë në më të mirën e mundshme.