Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia mbylli një sezon zhgënjyes në kampionat, teksa kjo gjë ka krijuar një klimë pesimiste tek të gjithë tifozët dhe dashamirësit e kësaj skuadre. Dritan Smajli, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka analizuar sezonin e Superiores e poashtu edhe shkodranët në veçanti. Smajli flet për ndryshimet që ka pasur Vllaznia, duke vlerësuar maksimalisht stafin e ri drejtues. Ish-mbrojtësi kuqeblu u ndal edhe tek finalja e kampionatit ndaj Egnatias, aty ku sipas tij mund të bëhej diçka më tepër, pasi rezultati i saj ishte shumë zhgënjyes.
Poashtu, ndër të tjera, ai komentoi se skuadra ka nevojë për përforcime cilësore, por beson se ekipi mund të kthehet ku duhet me dyshen Martini-Sinani. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Smajli, si e keni parë Superioren këtë edicion?
Duhet ta pranojmë se për çfarë skuadrat kanë dhënë në fushë dhe çfarë futbolli është luajtur, mendoj që ka qenë një ndër kampionatet më të dobëta në cilësi dhe besoj pjesëmarrja e tifozëve ka dëshmuar që ka qenë një kampionat i dobët. Nuk duhet të kënaqemi vetëm me finalen Egnatia-Vllaznia, që kishte shumë tifozë. Kjo edhe për shkak të tifozëve të Vllaznisë që mbushën stadiumin.
–Smajli, ju personalisht u zhgënjyet nga Vllaznia?
U zhgënjeva sidomos në finale, sepse realisht prisja një Vllazni tjetër, duke qenë se u bënë shumë vite pa titull. Të them të drejtën, prisja një tjetër interpretim të kësaj ndeshje. Mendoj që edhe presioni shumë i lartë ndikoi, pasi shumë futbollistë nuk munden dot të përballojnë një ndeshje të tillë.
–Mund të bënte diçka ndryshe skuadra në finalen e sezonit?
Shumë trajnerë të mëdhenj në botë quhen të mirë, sepse kanë ditur të fitojnë finale. Kjo do të thotë që finalet përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të kuptosh çdo futbollist se në çfarë trysnie është. Ti duhet të jesh psikolog që të arrish ta bësh futbollistin që ta shijojë ndeshjen dhe jo ta përjetojë me stres. Në ndeshjen me Egnatian, pashë shumë futbollistë të stresuar dhe kjo i çoi në frenimin për të bërë më të mirën.
–Titulli kampion akoma nuk po vjen në Shkodër, pse mendoni ju? U bënë shumë vite…
Unë mendoj që të paktën tre vitet e fundit, aty është punuar mirë dhe ka qenë afër titullit dhe këtë duhet ta pranojmë, sepse rezultatet flasin vetë. Në fakt, që të dalësh kampion, nuk është e lehtë. Nuk mjaftojnë 12 apo 13-futbollistë dhe për këtë, Vllaznia ka vuajtur shumë, sepse realisht nuk ka pasur alternativa të ngjashme me titullarët dhe kjo bën që konkurrencë të mos ketë. Normalisht, ritmi i futbollistëve titullarë bie pastaj, sepse nuk e kanë tjetrin gati për t’iu zënë vendin. Pse Egnatia është kampione në dy vite rradhazi? Egnatia është kampione, sepse ka 22-futbollistë njësoj dhe aty nuk ka kohë për të “fjetur në dafina” dhe në këtë mënyrë, çdo futbollist ka ritmin e duhur në çdo ndeshje dhe besoj kjo me diferencë u pa edhe në finale.
–Çfarë duhet të ndryshojë skuadra për sezonin e ri?
Pak a shumë atë që thashë më lart. Vllaznisë i duhet një merkato cilësore dhe futbollistë të etur për trofe. Megjithatë, më mirë këtë pjesë e di trajneri Martini, sepse secili ka idetë e veta. Ne thjesht japim një opinion.
–Mund të jetë i kalueshëm turi i parë i Conference League për Vllazninë?
Shpresoj shumë që ta kalojë, sepse do të jetë një ndihmë shumë e madhe financiare për t’u bërë gati për kampionatin tjetër dhe besoj që është shumë e arritshme.
–Si e shikon dyshen Martini-Sinani, a është e duhura në këtë moment për Vllazninë?
Martinin e kam pasur trajner dhe kam fjalët më të mira për mënyrën si i trajton futbollistët. Shpresoj shumë t’i shkojë mbarë dhe ia uroj me shpirt, sepse Vllazninë e duam të gjithë, aq më tepër Martini që ka lindur me atë fanellë. Me Sinanin kam luajtur dhe mbetet një ndër miqtë më të mirë në jetën sportive dhe jo vetëm. Kam të njëjtat fjalë që thashë për Martinin, që ia uroj me zemër që t’iu shkojë mbarë. Nuk më takon të flas shumë për këtë dyshe, sepse janë legjendat e futbollit shkodran dhe jo vetëm. Kështu që, nuk mund ta vendos në diskutim që këto të dy do japin çdo gjë për qytetin që i lindi, i rriti, i duartrokiti dhe i bëri kampion.
–Vetë ju personalisht në një të ardhme, si do e prisnit një ftesë nga Vllaznia nëse do ju vinte për të qenë pjesë e stafit teknik?
Unë për Vllazninë në 2 të natës zgjohem dhe jam gati.