Nga Maringlen ZHIVANI
Tashmë që është mbyllur sezoni, te Vllaznia kanë rënë në një qetësi, e cila pritet të marrë fund javën që vjen. Kuqeblutë e mbyllën këtë sezon pa asnjë trofe dhe e vetmja arritje ishte kualifikimi në kompeticionet europiane.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ish-kapiteni i kuqebluve, Elvin Beqiri, analizon atë ç’ka Vllaznia bëri në sezonin që u mbyll. Sipas tij, sezoni që sapo u mbyll nuk mund të quhet dështim për Vllazninë, por shton se skuadra ka nevojë për përforcime për në vazhdim. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Beqiri, a dështoi Vllaznia e këtij sezoni?
Nuk mendoj që duhet të quhet dështim për Vllazninë sezoni që sapo u mbyll. Në përgjithësi, ekipi ka bërë mirë gjatë gjithë kampionatit dhe vendi i dytë është mëse i merituar. Humbja në finale ishte thjesht një ndeshje, e cila nuk u interpretua mirë nga ekipi.
-Kishte shumë afrime, por asnjëri prej tyre nuk arriti pritshmëritë. Pse ndodh kjo tek Vllaznia? Shumë futbollistë që dështojnë në Shkodër, në ekipe të tjera shkëlqejnë dhe janë ndër më të mirët për skuadrat e tyre?
Unë mendoj se jo të gjitha afrimet ishin dështim. Futbollistë si Yago, Qato apo ndonjë tjetër mendoj se kanë qenë pika të forta në formacionin e Vllaznisë. Të dështosh në një skuadër nuk është e thënë që nuk do bësh mirë në një skuadër tjetër. Thjesht është çështje përshtatjeje.
-Mendoni se Vllaznia është e detyruar të bëjë afrime dhe largime gjatë kësaj vere?
Patjetër që, çdo ekip ka nevojë për përforcime, por ato duhet të jenë të kujdesshme dhe të matura, në mënyrë që t’i përshtaten ideve të lojës që aplikon trajneri. Kjo mendoj që është sfida më e madhe për një trajner dhe stafin e tij teknik, sepse është shumë e rëndësishme të ndërtosh që në fillim një ekip me futbollistët e duhur, ku përshtaten shumë mirë me planet dhe filozofinë e trajnerit.
-Nëse do ta kishit ju në dorë, sa futbollistë do të afronit dhe ku?
Me atë që kam parë gjatë gjithë kampionatit, mendoj se ekipi ka nevojë të ndërhyjë në merkato në pjesën e mbrojtjes dhe të mesfushës. Sulmi dhe porta mendoj se kanë qenë repartet më të konsoliduara. Gjithsesi, stafi teknik është më afër me ekipin dhe e shikon më mirë këtë pjesë.
-A besoni se Edi Martini si trajner dhe Vioresin Sinani si drejtor, dy emra të mëdhenj të futbollit shkodran, e kanë mundësinë ta rikthejnë Vllazninë konkurruese me disa ndryshime?
Të dy janë djemtë e atij qyteti, ku janë rritur dhe janë bërë ikona të futbollit tek ekipi i Vllaznisë dhe më gjërë, me kontributin e tyre ndër vite si ish-futbollistë, por tani edhe në poste drejtuese. Martini si trajner mendoj që ishte zgjedhja e duhur për ekipin për vetë eksperiencën e tij të madhe që ka në kampionatin shqiptar, ku nuk duhet të harrojmë sukseset e njëpasnjëshme që kishte me ekipin e Teutës para pak kohësh. Gjithashtu, edhe zgjedhja e Sinanit në postin e drejtorit teknik ishte një zgjedhje e zgjuar, duke ditur që Sinani ishte pjesë e ekipit në sezonin e fundit dhe e njeh shumë mirë ekipin. Kjo do ta ndihmojë shumë atë dhe stafin në përzgjedhjen e futbollistëve dhe menaxhimin e ekipit.
-Sa konkurrues e shihni kampionatin tashmë që klube si Egnatia, Dinamo dhe jo vetëm, po investojnë? Si ju duket ju, a ju duket
më e vështirë për Vllazninë?
Kur shikon ekipe shqiptare që investojnë në futboll, të bën të shpresosh që niveli i këtij sporti po rritet vit pas viti. Kjo është diçka e mirë për futbollin shqiptar. Poashtu, përveç Egnatias dhe Dinamos, mendoj që edhe Partizani apo Elbasani po bëjnë të njëjtën gjë. Në këtë grup skuadrash nuk mungon as Vllaznia. Për Vllazninë nuk mendoj që do të jetë e vështirë në kampionatin e ardhshëm, sepse përveç futbollistëve të huaj që mund të afrojë, ka edhe një minierë të çmuar me futbollistë nga Akademia e saj. Historikisht, kjo Akademi ka nxjerrë talente vit pas viti, duke furnizuar jo vetëm ekipin e Vllaznisë, por të gjithë ekipet shqiptare. Unë mendoj që në këtë minierë të çmuar që klubi ka, të investohet paralelisht në të njëjtën formë si tek ekipi i parë, sepse përveçse furnizon atë, është edhe një burim i sigurtë të ardhurash për klubin në të ardhmen.
-Beqiri, dalim pak nga Vllaznia, a e meritoi Egnatia titullin, a ishte ajo skuadra më e mirë e Superiores?
Egnatia po tregon vit pas viti stabilitetin që ka si ekip dhe si klub. Nuk është rastësi fitimi i dy kampionateve, sepse ky klub po investon në mënyrën e duhur dhe po merr frytet e saj dhe me meritë është skuadra më e mirë në Shqipëri.
-Beqiri, Egnatia fiton dy herë rradhazi titullin dhe korr shumë sukses në pak vite. Pse nuk e bën dot këtë një ekip i madh dhe me histori si Vllaznia?
Janë shumë faktorë apo hallka që duhet të funksionojnë në një klub për të patur sukses. Padiskutim që, një buxhet i shëndoshë të jep mundësinë të veprosh në atë mënyrë që këto hallka të funksionojnë sa më mirë. Vllaznia nuk ka nevojë të mendojë që të dalë kampion vetëm një herë dhe pastaj të ketë përsëri periudhë të gjatë pa titull kampion. Ajo që ky klub ka nevojë është të krijohet një strukturë e fortë në Akademinë e saj dhe të bazohet tek futbollistët që nxjerr dhe të menaxhohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo mendoj që do ishte mënyra më e mirë që klubi të ketë sukses të vazhdueshëm në disa fronte.(www.shkodrasport.com)