Nga Maringlen ZHIVANI
Eugent Zeka ka mbetur i mërzitur për sezonin e Vllaznisë, por jo i zhgënjyer. Gjatë prononcimit të dhënë për “Shkodra Sport”, ish-drejtori i klubit thekson se skuadra kuqeblu duhet përgëzuar si nën/kampione e Shqipërisë.
Zeka analizoi edhe ecurinë e shkodranëve dhe sipas tij, skuadra nuk duhet të ndryshojë çdo vit, por përkundrazi vetëm të përforcohet çdo herë aty ku duhet. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Si e keni parë Superioren këtë edicion?
Unë e shoh përherë edhe më të zbehur dhe më të varfër në kualitet Superioren. Faktorët që ndikojnë për keq janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e ligjit të Sponsorizimit dhe duke mbaruar te formati i ri shumë i diskutuar i kampionatit.
-Personalisht ju, u zhgënjyet nga Vllaznia, duke qenë se ishte një tjetër sezon që u mbyll pa trofe sërish
Zhgënjim jo, i mërzitur po. Vllaznia ka treguar që është forca e dytë e kampionatit dhe duhet përgëzuar si nën/kampione e Shqipërisë. Është e vërtetë që vetëm skuadra fituese gëzon dhe mbahet mend, por kush nuk do të donte të arrijë të luajë një finale.
-Çfarë note do t’i jepje këtij edicioni të Vllaznisë?
Nuk jam dorë-lëshuar me notat, pasi jam shumë i drejtë në këtë aspekt. Unë do ta vlerësoja ecurinë e Vllaznisë në të gjitha aspektet, jo vetëm për rezultatet. Për mua, Vllaznia meriton notën 7 për edicionin e sapombyllur.
-Çfarë duhet të ndryshojë skuadra në sezonin e ri dhe ku janë repartet ku mund të ndërhyhet në merkato?
Unë mendoj se Vllaznia nuk duhet të kërkojë të ndryshojë çdo vit, por ajo duhet të përforcohet vetëm aty ku duhet në mbështetje të projektit teknik dhe ideve të trajnerit të ri. Unë mendoj se shto miell e shto ujë, nuk mund të ndërtohet skuadra. Vllaznia duhet të ruajë bazën e saj, të forcojë identitetin dhe të garantojë vazhdimësinë e projektit sportiv për një cikël të gjatë.
-Si e shikon Conference League, parashikon se ekipi mund të bëjë mirë?
Është e pamundur që të parashikohet ecuria e skuadrës së Vllaznisë në një kompeticion të tillë, ku kërkohen dhe ndikojnë shumë faktorë për të arritur suksesin. Uroj dhe besoj që trajneri Martini, me vullnetin dhe eksperiencën e tij, do të dijë të ndërtojë një skuadër për të na përfaqësuar sa më denjësisht edhe në Conference League.
–Si e komentoni vendosjen në krye të skuadrës të një dysheje si Martini-Sinani?
Si ish-futbollistë të Vllaznisë, të dy ato kanë qenë ndër lojtarët më të mirë dhe të talentuar për të gjithë Shqipërinë. Më pas, në karrierën e tyre të re, unë shoh më përpara dhe më të thelluar në profesion Edi Martinin. Kjo padyshim pa zbehur vlerat e larta edhe të Sinanit. Ato së bashku mund të bëjnë forcën e vërtetë, për të cilën vetëm fusha dhe rezultatet do ta tregojnë. Kam qenë dhe jam gjithmonë tifoz dhe dashamirës i tyre.