Nga Maringlen ZHIVANI

Olsi Gocaj ka folur për “Shkodra Sport” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku jeton dhe punon prej disa kohësh. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë analizoi sezonin e shkodranëve, teksa sipas tij mund të bëhej diçka më tepër në finalen e kampionatit.

Gocaj tha se ka mbetur i zhgënjyer nga sezoni i Vllaznisë, ndërsa shtoi se skuadra ka nevojë për përforcime. Ish-mbrojtësi i kuqebluve ka besim se ekipi mund të kthehet ku duhet me dyshen Martini-Sinani.#

-Gocaj, u zhgënjyet nga Vllaznia?

Të them të drejtën, u zhgënjeva jo vetëm unë, por besoj se të gjithë tifozët e Vllaznisë, pasi gjatë viteve të fundit, kjo ishte hera e parë që jemi kaq afër titullit.

-Mund të bënte diçka ndryshe skuadra në finale?

Sigurisht që mund të bënte më shumë, luhej ndeshja e gjithë sezonit. Vllaznia duhej të tregonte që kishte shkuar për ta fituar dhe jo të priste nga gabimet e Egnatias. Megjithatë, Egnatia e meritoi fitoren dhe duhet përgëzuar, pasi kishte gjithë vitin që ishte në vend të parë.

-Titulli kampion akoma nuk po vjen në Shkodër, pse mendoni ju?

U bënë shumë vite… Po, e vërtetë. Kemi vite që të gjithë si shkodranë e presim të vijë ajo ditë, sepse kemi që në 2001 që presim të festojmë. Uroj dhe shpresoj që kjo ditë të jetë sa më e afërt.

-Çfarë duhet të ndryshojë skuadra për sezonin e ri?

Për mendimin tim, Vllaznia duhet të ndërhyjë urgjentisht në merkato, pasi e ka të nevojshme minimumi katër-pesë futbollistë cilësorë që të bëjnë diferencën, ku së bashku me futbollistët e tjerë, do arrijnë të jenë pretendentë për sezonin e ri.

-Mund të jetë i kalueshëm turi i parë i Conference League për Vllazninë?

Po, besoj që po. Me pak fat dhe me ndërhyrje në merkato, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë që ta kalojë turin e parë

-Si e shikon dyshen Martini-Sinani, a është e duhura në këtë moment për Vllazninë?

Unë mendoj që dyshja Martini-Sinani janë e duhura për Vllazninë. Gjej rastin t’i uroj për detyrën e re. Martini dhe Sinani janë të dy shkodranë dhe e njohin mjaft mirë ambientin aty. Martini dhe Sinani kanë eksperiencën e duhur për të bërë gjëra të mira për Vllazninë dhe për të ndërtuar një ekip dinjitoz.(www.shkodrasport.com)