HomeKRYESOREInzaghi krijoi 'veprën e tij të parë të madhe' për të përmbushur...

Inzaghi krijoi ‘veprën e tij të parë të madhe’ për të përmbushur profecinë e Guardiolës

Carlo Ancelotti (6), Marcello Lippi (4), Nereo Rocco (2), Giovanni Trapattoni (2), Arrigo Sacchi (2), Fabio Capello (2), Massimiliano Allegri (2)…, tani edhe Simone Inzaghi. Fitorja epike ndaj Barcelonës (4-3) i mundëson trajnerit të Interit hyrjen në “Hall of Fame” të trajnerëve italianë, që kanë drejtuar të paktën dy finale të Ligës së Kampionëve.

Vëllai më i vogël i “Pippo”-s ka gjetur në pankinë lavdinë që dëmtimet ia mohuan si futbollist. Megjithatë, si lojtar shënoi 90 gola dhe fitoi gjithçka në nivel vendas: një kampionat, tri Kupa të Italisë dhe një Superkupë. Si trajner, si me Lazion, ashtu edhe me Interin, ka fituar gjithçka: një kampionat, tri Kupa të Italisë dhe pesë Superkupa. Askush nuk ka më shumë se ai.

“Doja t’i dhuroja babait një javë të përsosur,” – pati thënë pas ngjitjes së “Pippo”-s në Serie A me Pisa. Dhe ashtu ndodhi. Simone tashmë ka luajtur një finale Champions-i, humbja 1-0 ndaj Manchester City më 2023. Tani është momenti për ta mbyllur ciklin dhe përmbushur profecinë e Guardiolës.

“Dua t’i them Inzaghit se ajo që ndjen tani, e ndjemë edhe ne dy vite më parë (kur City humbi ndaj Chelsea). Duhet të mendojë se po drejton skuadrën e dytë më të fortë në Europë, do të rikthehet në finale. Kështu është sporti: ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb…”, – parashikoi Guardiola.

Pas ndeshjes së parë ndaj Barçës, Guardiola tha sërish: “Simone është i nënvlerësuar, madje shumë. Interi tregoi sërish sa skuadër e jashtëzakonshme është; si mbron, si kalon në kundërsulm, fizikisht dhe organizativisht. Inzaghi është trajner i jashtëzakonshëm”.

Edhe Luis Alberto, ish-lojtar i tij te Lazio, shtoi: “Është nënvlerësuar. Ka evoluar jashtëzakonisht si trajner që nga fillimi i tij. Ka shumë pak trajnerë më të mirë se Simone në menaxhimin e grupit”.

Dhe s’e kanë aspak gabim. Që nga sezoni para ardhjes së Inzaghit (2020-2021), Interi ka humbur emra si Hakimi, Lukaku, Skriniar, Brozovic, Onana…, por s’ka reshtur së rrituri. “Simone është themeli i këtij modeli. Fitorja është e të gjithëve, por meritën më të madhe e ka trajneri”, – ka thënë presidenti Beppe Marotta.

Vetë Simone u shpreh: “Ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist dhe arrita të luaj në Serie A e në kombëtare bashkë me vëllain tim, nuk mund të kërkoja më shumë. Si trajner iu jam mirënjohës lojtarëve të Interit dhe Lazios për këtë rrugëtim të mrekullueshëm. Jemi në finale, pak e parashikuan, por shumë i dëgjuam, disa më tepër se të tjerët”.

Në këtë Champions, Interi ka qenë vetëm 10 minuta e 54 sekonda në disavantazh, shifër që tregon sa i fortë është ky ekip. “Inzaghi është lideri ynë. Na tregon rrugën dhe gjithmonë e bën si duhet, edhe në momentet më të vështira. Kjo është forca e tij. E meriton çdo lavdërim”, – tha Dimarco.

Karriera e tij tek Interi është e jashtëzakonshme: një “scudetto”, rikthimi i Kupës së Italisë pas 11 vitesh, tri Superkupa radhazi (për herë të parë në histori), dhe dy finale Champions-i në tri vite (pas 13 vitesh mungesë).

“Skuadra nuk u bë asnjëherë arrogante. E kemi merituar këtë finale. Tani është koha për ta shijuar”, – nënvizoi Inzaghi./telesport/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments