Me ngjitjen në Superiore në sezonin 2022-2023, Erzeni i Shijakut u bë një klub që grishte shumë dhe drejtuesit afruan disa lojtarët në vazhdimësi, të cilët më pas hodhën hapa të mëdhenj në karrierën e tyre.
Por, shijakasit nuk rezistuan shumë, pasi në dy sezonet e fundit morën me shpejtësi rrokullisjen, nga Superiorja në Kategorinë e Dytë. Gjithsesi, Erzeni shërbeu si një vitrinë e mirë për shumë lojtarë, të cilët veshën fanellën e shijakasve në dy sezonet që luajtën në Superiore. Një prej tyre ishte edhe mbrojtësi nga Kumanova, Nehar Sadiki. 27-vjeçari shqiptar nga Maqedonia e Veriut e mbylli sezonin e fundit me boshnjakët e FK Igman Konjiç.
Sezonin e fundit e nisi me rusët e SKA Khabarovsk, ku luajti vetëm katër ndeshje, ndërsa në merkaton e dimrit kaloi te skuadra boshnjake, ku u aktivizua në tetë takime.
Pas përfundimit të sezonit me FK Igman Konjiç, mbrojtësi shtatlartë, 195 cm i gjatë, ka dalë lojtar i lirë. “Panorama Sport” mëson se lojtari është në mëdyshje për të ardhmen, pasi i mbetet të përzgjedhë mes interesimeve që ka nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Pikërisht bëhet fjalë për një qendër mbrojtës, ku të djathtën ka këmbën e preferuar.